Poezi nga: Irina Ratushinskaya
Përktheu: Maksim Rakipaj
Duhmë tymi vendi im mbi fytyrë më hedh.
Një libër dërgomëni, të mos ketë gjë për ne.
Shekuj të përshkoj n’atë libër të zhubrosur,
Mbi çati llamarine, qelqe të ngjyrosur,
Tek bëjnë dafrungë, të shikoj fitimtarët
Kur ende s’është koha për të ndezur zjarret….
Jehonë këmbanash ende sjell kjo erë
Të pavdekshmit shpirtra qeshin e fusin tmerr.
Ende të rij mbretërit, çdo parrullë e saktë,
Dhe poetët mbajnë iso. Të dobta gratë,
Kështu janë krijuar dhe kështu i lënë,
Në breg të fatit mbeten fëmijët që bëjnë.
Si nga maja heshtash, shqyhen parzmet në lot,
Historianët vazhdojnë, llomotisin më kot.
Që gaztorët e cirkut të na zgjidhin hallet,
Që bishat, kuçedrat të kenë emrat mbi malet,
Që gjysma të gëzojë, tek sheh vdekjen nuse
Xhelati gati, anì, pa këmishë të kuqe.