Telegrafi

“Duhet të më vrasin edhe mua”, lutja e gruas kolumbiane ndaj policisë, djali i së cilës ishte vrarë në protestat e fundit anti-qeveritare

Një video e cila është duke qarkulluar në internet tregon një grua kolumbiane e cila i ‘lutet’ policisë për ta vrarë pasi djali i saj i vetëm u vra gjatë protestave të fundit në vend.

“Do të shkoj edhe unë pas djalit tim”, vajton ajo. “Ai ishte djali im i vetëm, ai ishte djali im i vetëm. Duhet të më vrasin edhe mua”, thotë ajo.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organet e tjera të të drejtave dënuan dhunën që po ndodh në Kolumbi, ku thuhet se 19 persona janë vrarë gjatë protestave të fundit anti-qeveritare.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, si rrjedhojë e këtyre protestave thuhet se 89 persona po raportohen si të “zhdukur”.

Dhjetëra mijëra kolumbianë kanë vërshuar rrugëve në demonstrata që filluan të mërkurën e kaluar kundër një reforme të propozuar të taksave, por që atëherë u shndërruan në protesta më të gjera kundër qeverisë së presidentit Ivan Duque. /Telegrafi/