Bayern Munichu e ka nënshtruar Borussia Dortmundin në derbin e javës së 28-të në Bundesliga duke fituar me rezultat 4-1 në Allianz Arena.
Bavarezët e gjetën rrjetën vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes në Allianz Arena. Philipp Lahm dërgoi një top drejt qendrës ku e priste Franck Ribery dhe goditja e tij përfundoi në portë (4’).
Nuk kaluan shumë minuta dhe u shënua goli i dytë. Robert Lewandowski u tregua fantastik nga gjuajtja e lirë (10’).
Me një gol të bukur të Raphael Guerreiros, pas gabimit të vendasve, u ngushtua rezultati (20’). Mirëpo, ky ishte vetëm goli i nderit për mysafirët.
Në gjysmën e dytë erdhi në shprehje Arjen Robben, i cili shënoi një gol ‘deja vu’ në minutën e 50-të.
Rezultatin përfundimtar e vendosi Robert Lewandowski me golin e dytë personal, këtë herë nga pika e bardhë (68’).
Me këtë fitore, Bayern Munichu ngritet në kuotën e 68 pikëve, dhjetë më shumë se përcjellësi i parë, RB Leipzig. Borussia Dortmundi është në vend të katërt me 50 pikë. /Telegrafi/
Stop me if you've seen this before…#Robben pic.twitter.com/NvRdYsXPZ4
— mauricio pedroza (@mauriciopedroza) April 8, 2017