Telegrafi

Dubai heq taksën e alkoolit, qytetarët nuk do të paguajnë më për lejet e konsumit

Dubai ka hequr taksën prej 30 për qind për alkool dhe nuk po faturon më licencat e alkoolit, të cilat kërkoheshin për këdo që synon të pinte alkool.

Ky është vetëm një vazhdim i trendit të zbutjes së ligjit, pasi Dubai lejoi shitjen e alkoolit gjatë Ramazanit dhe lejoi dërgimin e tij në adresat e shtëpive gjatë pandemisë, transmeton Telegrafi.

Ky ndryshim ligjor është ndoshta rezultat i përpjekjes së qeverisë për ta bërë qytetin më tërheqës për të huajt, pra për të nxitur turizmin.

Dy kompani që shpërndajnë alkool në Dubai, Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern, pretendojnë se heqja e taksës do të ndikojë edhe në çmimet për konsumatorët.

“Këto rregullore të përditësuara së fundmi janë thelbësore për të vazhduar sigurimin e blerjes dhe konsumit të sigurt dhe të përgjegjshëm të pijeve alkoolike në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha zëdhënësi i MMI, Tyrone Reid.

Ende nuk dihet nëse rregullat e reja ligjore do të jenë të përhershme, shkruan BBC. Dubai njihet si “kryeqyteti argëtues” i Gjirit Persik dhe ka nëntë herë më shumë të huaj se sa banorë vendas.

Gjatë historisë, Dubai ka arritur të tërheqë shumë turistë dhe punëtorë të pasur të huaj, pjesërisht për shkak të tolerancës së tij për një mënyrë jetese më liberale.

Megjithatë, tani përballet me konkurrencë në rritje nga rivalët që po zhvillojnë sektorët e tyre të hotelerisë dhe atë financiare.

Jomyslimanët në Dubai duhet të jenë të paktën 21 vjeç për të qenë në gjendje të pinë alkool, ose të kenë një licencë alkooli në formën e një karte plastike të lëshuar nga policia.

Baret dhe klubet e natës rrallë kërkojnë karta, por ata që konsumojnë alkool pa një të tillë mund të përballen me gjoba ose arrestim. /Telegrafi/