Telegrafi

DUARTROKITJE

Nga: Gazmend Bytyçi

Përqeshja u bë publike
Në kor të duartrokasim ne
hiç shoqëria
S’kemi nevojë për fjalë
Le të shkojë inserti i filmit ku përdhoset liria
Që prindërit tanë e bartën në strajcën mbushur me troha buke
e dhimbje lindjeje
Dhe pak barot
Oh të shkretët ëndërronin që të na ngopnin mirë
Që ne të kishim forcë sa katallani
E t’u mëshonim fort
T’i përqeshnim edhe më bindshëm
Me atë barot të bënim aso plumbash
Që vrasin edhe Nëna
Dhe sakatojn fëmijë

Askush mos të shkojë nga Varret e Dëshmorëve
As bashkëluftëtarët
E di që nuk duan të na shohin
Së paku deri sa të mbaron filmi
Atyre po ju dhemb edhe liria

Unë me lugetërit po hahem
Më thonë se nuk po ndihesh mjaftueshëm shqiptar
Në shenjë revolte të qoftëlargut
Të zhveshim pantallonat
Të ulim fustanet
Dhe përfundimisht të pshurremi në vete
Dhe mos harroni
një duartrokitje ju lutem