Site icon Telegrafi

Dua të di a jam shtatzënë! Çdo gjë për testin e shtatzënisë

Shumica e femrave janë të sigurta që vonesa e menstruacioneve, madje edhe kur është fjala vetëm për një apo dy ditë, është shenjë e sigurt që janë shtatzënë. Posaçërisht nëse gjithmonë kanë pasur cikël të rregullt.

Mirëpo përse të jetoni me dyshime. Më së miri është të bëni testin e shtatzënisë dhe të zgjidhni dilemën: lajmin e një shtatzënie shumë të dëshiruar, apo e kundërta. Sido qofshin pritshmërisë tuaja nga një test, informacionet e mëposhtme duhet t’i dijë çdo grua, transmeton Telegrafi.

Testi i shtatzënisë në disa raste mund të shfaqë menjëherë një rezultat të dukshëm, pra të arrijmë të shohim dy vija me ngjyrë të theksuar, dhe në disa raste nuk ndodh kështu. Ndodh që gruaja të jetë konfuze në momentin që në test shikon një vijë të kuqe dhe një tjetër të zbehtë.

Edhe në këtë rast është e mundur që të jeni shtatzënë. Normalisht vija e parë që do të shfaqet do të jetë shumë e dukshme dhe e theksuar, dhe zakonisht e dyta shfaqet shumë e zbehtë sepse mund të ndodhë që të jeni në fillimet e hershme të shtatzënisë dhe për pasojë niveli i hormonit beta hCG të jetë shumë i ulët.

Nëse do të provoni sërish pas disa ditës (zakonisht këshillohet pas 7-10 ditësh) mund të shikoni në test dy vija shumë të theksuara.

Po nëse vija është gati e padukshme?

Në këtë rast do të jetë shumë herët për të përcaktuar me anën e një testi nëse jeni apo jo shtatzënë, dhe duhet të prisni datën e ciklit për të parë nëse do të keni një mungesë apo jo.

Gjithsesi, një përcaktim më të sigurt e bën analiza e gjakut, edhe në fazat e hershme të shtatzënisë.

Prisni për të bërë testin e shtatzënisë derisa të kalojë data e ciklit me 4-5 ditë apo më shumë. Në këtë rast do të jeni në gjendje të merrni një përgjigje më të qartë dhe më të sigurt.

Ashtu si kontraceptivët, edhe testi i shtatzënisë ka një datë skadimi. Kontrolloni me kujdes datën e shënuar në ambalazhin e tyre para përdorimit. /Telegrafi/

Exit mobile version