Site icon Telegrafi

Druajtja, një sëmundje?

Të gjithë kemi provuar të paktën një formë të ankthit shoqëror: kur kemi pasur përplasje me një individ të seksit të kundërt; kur kemi takuar një punëdhënës të fuqishëm; kur kemi mbajtur konferenca në publik, ose kur kemi performuar si solist në një grup muzikor.

Siç ndodh shpesh, është thjesht çështje perceptimi dhe mes ankthit shoqëror të lehtë, të rëndë, fobisë shoqërore dhe manisë së persekutimit, ka shumë ndryshime. Megjithatë, të kapërcesh frikën nga të tjerët është e mundur.

Një studiues nga Universiteti i Evanstonit (SHBA), në librin “Shyness: how normal behavior becave a sickness” (“Turpi: nga një sjellje normale shndërrohet në sëmundje”), shpjegon se dikur personat e ndrojtur ishin të mbyllur, ndërsa sot janë të sëmurë mendorë. Vështirësia për të ngrënë në vende publike, ose sikleti për të reaguar në mënyrë autoritare, tani shihen si ankth shoqëror, transmeton Telegrafi.

Shkencëtari akuzon kompanitë farmaceutike që përpiqen t‘i mjekojnë me ilaçe karakteristikat personale të individëve, siç është ndrojtja. Ricky Williams Jr, ylli i futbollit amerikan në një program televiziv, e kishte quajtur daljen e tij nga loja si fobi shoqërore.

“Në fakt, nuk është kjo simptoma e vetme e fobisë shoqërore të Williamsit. Ai nuk tregoi se sa e kishin paguar nga ‘GlaxoSmithKline‘ për këtë veprim”, shkruan studiuesi. Jo më kot, kohët e fundit nëpër stacionet e autobusëve ishin ngjitur reklamat e një antidepresivi të “Glaxo”-s, me sloganin “Imagjinoni sikur jeni alergjikë ndaj njerëzve”.

Kapërcimi i problemeve

Edhe historitë e jetës mund të ndihmojnë në kapërcimin e këtyre problemeve, ose t‘i bëjnë më të vështira ato. Nëse njëri prej prindërve i trembet gjykimit të të tjerëve dhe shmang përplasjet në të cilat vërehen aftësitë shoqërore, atëherë vështirësitë rriten.

Dikur një fëmijë i turpshëm mbyllej në dhomë duke lexuar e si pasojë bëhej “një pus” dijesh, por ngushëllohej me faktin e të qenit i pari i klasës. Sot fëmijët e turpshëm zhyten në internet. Si pasojë kanë lindur “hikikomor”-ët, adoleshentët e “izoluar”, të cilët prej vitesh nuk dalin nga dhomat e tyre. Ky fenomen ka qenë shumë i përhapur në Japoni, ndërsa tani është shfaqur edhe në Evropë.

Ankthi dhe fobia shoqërore

Një psikiatër japonez, që ka shpikur termin “hikikomor”, ka qenë i pari i cili e ka studiuar këtë shqetësim. “Fëmijët e turpshëm mbyllen në një dhomë dhe e zëvendësojnë jetën reale me atë virtuale. Interneti dhe lojërat janë pasoja, jo shkaku. Kështu, rikthimi në botën reale bëhet gjithnjë e më i vështirë”, thotë një psikologe.

“Hikikomor”-ët janë një risi, por kush vuan nga ankthi shoqëror, ka qenë gjithmonë i tillë. Mjafton të kujtoni romanët e shkrimtarit çek, Franc Kafka (1883-1924) “Procesi” dhe “Kështjella”, ose veprën e piktorit norvegjez, Edvard Munch (1863-1944), “Klithma”.

Por si mund ta kapërcejmë frikën ndaj të tjerëve? Një studiues amerikan ka zhvilluar dy teknika të psikoterapisë së lehtë për të përballuar format më të rënda të frikës ndaj të tjerëve. Njëra “kuron” rrënjët e ankthit shoqëror të rëndë dhe fobinë sociale, ndërsa tjetra problemet e manisë së persekutimit.

Terapia e parë u mëson pacientëve të përdorin efektin paradoks dhe bazohet te fantazia e keqe. Kinezët thoshin: “Zjarri fiket duke i hedhur dru”. “Ne e mposhtim ankthin duke i shtuar frikë”, thotë studiuesi. Ai i ftoi pacientët e tij të bënin për dy javë një ushtrim të thjeshtë. Çdo ditë duhej të qëndronin ulur për 30 minuta në një dhomë të errët dhe të imagjinonin gjërat më të këqija, si për shembull: të skuqeshin në publik, të bllokoheshin dhe të mos arrinin të flisnin, të qëndronin të heshtur në konferencë.

Pra, të ishin viktima të frikës së tyre më të madhe. Pas këtij ushtrimi, pacientët vunë re se sa më e frikshme të ishte fantazia, aq më shumë pakësohej frika. Në fund, ata ndiheshin më të qetësuar. Me këtë teknikë, njerëzit mund të mësohen të përballojnë çdo lloj ndrojtjeje. Studiuesi amerikan zgjidhi 94 për qind të rasteve. “Kaviet” nuk u kthyen më kurrë në klinikën e tij.

Persekutimi

Teknika për të përballuar fobinë shoqërore është ndryshe. Në seancën e parë merret si i mirëqenë tregimi i pacientit, sipas të cilit, të gjithë janë armiqtë e tij.

Për ta kapërcyer këtë fobi, pacienti duhet të përballet për dy javë rresht me personat që ai mendon se e kanë inat dhe e refuzojnë. Ai që mendon se persekutohet, nuk e pranon ballafaqimin, nuk guxon t‘i shohë në sy të tjerët dhe përpiqet vazhdimisht të justifikohet.

Kur krijon shoqëri të re, e bën në mënyrë agresive dhe të tjerët reagojnë duke u mbrojtur e duke krijuar kështu pikërisht situatën së cilës pacienti i trembet. Nëse pacienti është i pari që i sheh gjërat me një sy tjetër (pa u justifikuar), atëherë edhe të tjerët i përgjigjen në të njëjtën mënyrë.

Kjo teknikë ka shumë sukses dhe pacientët çlirohen pas një seance. /Telegrafi/

Exit mobile version