Telegrafi

Dritës i mjafton një gol për ta mposhtur Prishtinën

Drita ka regjistruar fitore prej 1-0 si mysafir i Prishtinës në ndeshjen e parë sezonale në Superligën e Kosovës në futboll.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ndeshja filloi qetë, derisa shoqërohej nga atmosfera e mirë në tribuna.

Një rast të mirë e pati Debatik Curri për skuadrën që ishte nikoqire, ndërsa pas disa minutash ndëshkuan mysafirët që kaluan në epërsi.

Xhevdet Shabani depërtoi në zonë dhe arriti ta dërgojë topin në rrjetë (32’).

Në vazhdim, kryeqytetasit krijuan disa raste në përpjekje për ta barazuar rezultatin, ndërsa shansin më të mirë e pati Gauthier Mankenda.

Por, edhe i inkuadruari në pjesën e dytë, Kastriot Rexha, rrezikoi në anën tjetër.

Kur arbitri dha fishkëllimën e fundit, rezultati ishte ai i pjesës së parë dhe Drita iu gëzua tri pikëve të para në edicionin e ri.

Prishtina do ta kërkojë triumfin në xhirot e ardhshme të Superligës së Kosovës në futboll. /Telegrafi/