Drita do të luajë sonte në “Tose Proesk Arena” në Shkup përballë Sileksit në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Evropës.
Një ndeshje e barabartë në kualitet, ndërsa vetëm stadiumi vendas i jep përparësi skuadrën nga Maqedonia e Veriut.
Pritet të jetë një 90-minutësh shumë i luftuar, ku Drita do të kërkojë kualifikimin historik në raundin e tretë.
Gjilanasit dje e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja, ku të gjithë lojtarët ishin në dispozicion në përjashtim të transferimit të verës, Festim Alidemës, i cili do të mungojë për këtë përballje.
Trajneri i Dritës, Atdhe Nuhiu, ka thënë se mos fillimi i kampionatit në Kosovë, e ka hendikepuar Dritën.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Sileksi ka bërë ndeshje të mira viteve të fundit, gjithashtu janë në përparësi sepse janë në ritëm të ndeshjeve pasi ka filluar kampionati në Maqedoninë e Veriut për dallim nga ne qe ende nuk kemi filluar kampionatin dhe nuk kemi pas te drejt të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore”.
“Gjithsesi ne jemi gati për këtë ndeshje, do të bëjmë maksimumin. Futbollistët janë gati dhe besoj shumë në grupin e lojtarëve”, ka thënë Nuhiu.
Ndeshja fillon nga ora 20:00 dhe do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës.
Drita do të luajë në Ligën e Evropës pas eliminimit në tavolinë në Ligën e Kampionëve, pasi dy lojtarë të tyre kishin rezultuar pozitiv. /Telegrafi/