Telegrafi

Drita triumfon ndaj Inter Escaldes dhe kalon në finale të raundit para-kualifikues të Ligës së Kampionëve

Foto: Dardanian Football/Twitter

Drita ka arritur të fitojë me rezultat 2-1 ndaj Inter Escaldes në ndeshjen e vlefshme para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve. 

Kampioni i Kosovës ka kaluar në finale të raundit para-kualifikues të Ligës së Kampionëve pas fitores së ngushtë ndaj kampionit të Andorrës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Dritës, ku përveç rasteve shënoi edhe dy gola, kundrejt një të Inter Escaldes.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 21 minutave lojë dhe ishte Xhevdet Shabani, i cili shënoi një supergol për epërsinë 1-0.

Kampioni i Andorrës arriti të kthehet në minutën e 29-të duke barazuar 1-1 me anë të Emili Garcia, ndërsa në minutat shtesë Hamdi Namani me një gol të bukur çoi Dritën në pushim me rezultat 2-1.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte kampioni i Kosovës që diktoi lojën duke krijuar edhe më shumë raste dhe duke menaxhuar me topin.

Megjithatë, edhe pas rasteve të shumta portat mbeten të paprekura dhe Drita fitoi me rezultat 2-1.

Në finalen e cila zhvillohet më 11 gusht, Drita do të përballet me kampionin e Irlandës Veriore, Lanfield që mposhti 2-0 Tre Fiorin.

Ekipi fitues do të kalojë në raundin e parë kualifikues, ku do të zhvillohet përsëri vetëm nga një ndeshje me datat 18-19 gusht. /Telegrafi/