Site icon Telegrafi

Drita mposht Prishtinën me rikthim dhe bën historinë duke fituar Superkupën e parë

Drita ka fituar trofeun e parë në sezonin e ri të futbollit të Kosovës.

Gjilanasit ngritën trofeun e Superkupës pas triumfit kundër Prishtinës me rezultat prej 2-1, ku “Intelektualët” treguan fytyrën e kampionit në pjesën e dytë.

Foto: Telegrafi

Në fakt, gjithçka kaloi në suaza të një spektakli dhe korrektësie mes dyja taborëve të ekipeve kundërshtare.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte pothuajse i mbushur i tërë pasi që në shkallët e saj ishin prezent rreth dhjetë mijë tifozë.

Para takimit në shenjë nderimi për veprën e legjendës së ndjerë të futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.

“Plisat” kishin më shumë raste në 45 minutshin e parë duke e goditur në tri raste edhe shtyllën e “Intelektualëve” gjersa arritën të shënojnë vetëm një gol.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Me të filluar ndeshja, Mankenda në minutën e dytë kishte një rast të mirë për shënim, por që nuk arriti të shfrytëzonte harkimin e mirë të Khaliditi dhe gabimin e portierit, Bakajt.

Pesë minuta më vonë, Ergyn Ahmeti dërgoi një gjuajtje të fortë drejt portës së Dritës, por që kësaj radhe Bakaj u tregua më i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në korner.

Allen Jasharovki pasi mashtroi dy mbrojtës gjilanas në të 16 minutë, por nuk arriti ta parabollonte portierin Bakaj.

Po i njëjti lojtar nuk pati fat duke goditur shtyllën në të 18 minutë pasi dërgoi një goditje të fuqishme nga një distancë prej 25 metrave.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ahmeti bëri një pasim të saktë në të 33 minutë në drejtim të sulmuesit Mankenda, i cili i gjendur i vetëm para portës së gjilanasve, goditi vetëm shtyllën vertikale të kampionëve të Kosovës.

Hoxha nuk arriti të shfrytëzojë një rast në të 30 minutë duke goditur sërish shtyllën vertikale të Bakajt.

Vetëm në minutën e 34, sulmuesi Mankenda arriti të sjell në epërsi skuadrën kryeqytetase duke goditur topin nga njëzet metra dhe i solli epërsinë e parë Prishtinës.

Pjesa e dytë foli pothuajse e tëra në dobi të futbollistëve të Dritës, të cilët arritën të përmbysin rezultatin dhe të shënonin fitore.

Foto: Telegrafi

Paraprakisht, megjithëse u kërkua që të mos gjuhen gjësende dhe të mos ndezën gjëra piroteknike, një gjë të tillë nuk e respektuan tifozët gjilanas dhe për këtë gjë u ndërpre takimi për disa minuta në të 52 minutë.

Neziraj u pengua në zonën e rreptësisë nga Thaçi në të 62 minutë dhe pa asnjë dyshim gjyqtari Genc Nuzaj tregoi gishtin drejt pikës së penaltisë.

Fidan Gërbeshi u tregua i saktë në të 64 minutë, por penalltia u deshtë të përsëritet shkaku i hyrjes së futbollistëve në zonën e rreptësisë.

Në njëjtën anë sërish goditi Gërbeshi dhe shënoi golin e barazimit në të 65 minutë për ta ndezur atmosferën te Intelektualët.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Khalid kishte rast të mirë kur u gjend i vetëm para portierit Bakaj, por që topin e gjuajti shumë lartë mbi portën.

Krasniqi pasoi saktë drejt Xhevdet Shabanit, i cili harkoi saktë për toke drejt Betim Haxhimusës, i cili nuk gaboi nga afërsia dhe solli në epërsi gjilanasit në të 82 minutë.

Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, ndeshja përfundoi 2-1 për Intelektualët.

Theksojmë se kjo ishte Superkupa e parë për kampionin e Kosovës, Dritën në futboll gjersa Prishtina deri më tani ka fituar nëntë sosh. /Telegrafi/

Exit mobile version