Telegrafi

Drita fiton me lehtësi ndaj Fushës Kosovës dhe kalon në çerekfinale të Kupës

Drita pa problem të madh ka arritur të fitojë takimin ndaj Fushë Kosovës në kryeqytet 0-5.

Gjilanasit ishin favorit edhe para fillimit të ndeshjes, por kanë fituar më lehtë se që është pritur.

Ardian Cuculi hapi serinë e golave pasi shënoi nga penalltia për 0-1 në minutën e 27-të.

Në fund të pjesës së parë, Drita realizoi edhe dy gola të shpejtë për të shkuar në pushim me qetësi.

Gjilanasit fituan një tjetër penallti të cilën në gol e shëndërroi Arbnor Muja për 0-2 në minutën e 40-të.

Ndërkohë vetëm një minutë më vonë, Marko Simonovski realizoi për 0-3.

Në pjesën e dytë gjilanasit vazhduan me lojë të mirë ku realizuan edhe dy gola të tjerë.

Fillimisht mesfushori Muharrem Jashari shënoi për 0-4 pas asistimit nga Ajzeraj, derisa Muja shënoi golin e dytë personal për 0-5.

Kësisoj Drita në çerekfinale i bashkohet skuadrave si Gjilani, Onix, Ramiz Sadiku dhe Ulpiana. /Telegrafi/