Drita pa problem të madh ka arritur të fitojë takimin ndaj Fushë Kosovës në kryeqytet 0-5.
Gjilanasit ishin favorit edhe para fillimit të ndeshjes, por kanë fituar më lehtë se që është pritur.
Ardian Cuculi hapi serinë e golave pasi shënoi nga penalltia për 0-1 në minutën e 27-të.
Në fund të pjesës së parë, Drita realizoi edhe dy gola të shpejtë për të shkuar në pushim me qetësi.
Gjilanasit fituan një tjetër penallti të cilën në gol e shëndërroi Arbnor Muja për 0-2 në minutën e 40-të.
Ndërkohë vetëm një minutë më vonë, Marko Simonovski realizoi për 0-3.
Në pjesën e dytë gjilanasit vazhduan me lojë të mirë ku realizuan edhe dy gola të tjerë.
Fillimisht mesfushori Muharrem Jashari shënoi për 0-4 pas asistimit nga Ajzeraj, derisa Muja shënoi golin e dytë personal për 0-5.
Kësisoj Drita në çerekfinale i bashkohet skuadrave si Gjilani, Onix, Ramiz Sadiku dhe Ulpiana. /Telegrafi/