Site icon Telegrafi

Drita bie në fund edhe në “Fadil Vokrri” – nuk ia del të futet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës 

Drita ka zhvilluar një ndeshje parë të mirë ndaj Legias Varshavës në “Fadil Vokrri”, por që iu desh të pajtohet me humbjen me rezultat 1-0, në ndeshjen kthyese të play-offit të Ligës së Konferencës.  

Drita u mposht edhe në Poloni 2-0, ku me rezultat të përgjithshëm prej 3-0, polakët kaluan tutje. 

Rastin e parë serioz në ndeshje e pati qendërmbrojtësi Juan Mesa, por nuk arriti që ta dërgojë topin te bashkëlojtarët e tij.  

Ndonëse ishte në pozitë shumë të mirë shënimi, ai nuk vendosi të gjuante në portë në minutën e tretë, por as pasimi i tij nuk shkoi askund.  

Legia pastaj rrezikoi me dy raste të mira. Polakët rrezikuan portën e portierit Faton Maloku, në minutën e 10-të me gjuajtje nga distanca, dhe në minutën e 12-të nga afërsia.  

Por asnjëri prej tentimeve të futbollistëve të skuadrës polake nuk ishte i saktë. 

Drita iu afrua edhe në minutën e 27-të, kur Besnik Krasniqit harkoi nga ndërprerja, por sulmuesi Veton Tusha, për pak sa nuk shënoi.  

Raddy Ovouka i Dritës e pati rastin e parë në pjesën e dytë, në minutën e 50-tën, por mbrojtësi i krahut të majtë gjuajti mbi portë. 

Mesfushori Ilir Mustafa e pati mundësinë më të mirë për Dritën, 15-të minuta para fundit të ndeshjes , por gjuajtja e tij me të majtën përfundoi fare pranë shtyllës pingule. 

Drita në minutën e 77-të mbeti me një lojtar më pak, pasi Rron Broja u ndëshkua me karton të kuq. 

Rastet e Blerim Krasniqit dhe Almir Ajzeraj nuk i dhanë epërsinë gjilanasve. 

Krejt në kohën shtesë, Legia që nuk rrezikoi asnjëherë në pjesën e dytë, gjeti golin me Tomas Pekhart që shënoi për 1-0. 

Drita luajti për herë të parë në fazën e play-offit të Ligës së Konferencës, por që nuk ia doli të futej në grupe. /Telegrafi/  

Exit mobile version