Komuna e Drenasit, përmes Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka marrë mirënjohje të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë për arritjen e saj të jashtëzakonshme në realizimin e programit të vizitave për nënat dhe fëmijët 0 – 3 vjeç.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka përgëzuar ekipen e programit të vizitave për nënat dhe fëmijët 0- 3 vjeç, duke vlerësuar lartë përkushtimin e personelit, njëherësh duke i përgëzuar për këtë sukses dhe vendin e parë në nivel nacional.
“Me vendin e parë në nivel vendi për numrin më të lartë të këtyre vizitave, Drenasi vazhdon të jetë shembull i përkushtimit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore parësore cilësore. Kjo arritje është mbështetet edhe vitin 2023 me përfitimin e një veture nga Ministria e Shëndetësisë të dedikuar për këto vizita, e cila ka përmirësuar ndjeshëm qasjen ndaj kujdesit shëndetësor në terren”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se programi i vizitave në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët e porsalindur deri 3 vjeç është një iniciativë e rëndësishme që synon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve në komunitetet rurale. Me shërbime mjekësore dhe mbështetje të personalizuar në shtëpi, ky program ndihmon në ndërtimin e besimit midis infermierëve, punonjësve social dhe familjeve, duke siguruar që të gjithë, pavarësisht nga vendndodhja e tyre, të kenë qasje në kujdesin e duhur shëndetësor.
Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lumnie Krapi, po ashtu shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe punën e palodhur të profesionistëve shëndetësorë, në kuadër të programit të vizitave në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël.
“Angazhimi i përditshëm dhe përkujdesja për shëndetin e nënave dhe fëmijëve në komunitetet rurale është jetik për mirëqenien e tyre dhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në komunën tonë. Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është e përkushtuar për vazhdimin e mbështetjes së projekteve që rrisin cilësinë e shërbimeve dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve”, thuhet tutje./Telegrafi/