Komuna e Drenasit ka njoftuar se ka përfunduar me sukses trajnimi i ngasjes emergjente për gjeneratën e dytë të infermierëve në Akademinë e Vushtrrisë.
Në njoftimin e bërë për media nga Komuna e Drenasit thuhet se ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Qendrës Emergjente në Drenas, duke siguruar reagim të shpejtë dhe të sigurt për qytetarët tanë në situata kritike.
“Falënderime të veçanta për ekipin tonë të shërbimit mjekësor emergjent për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm. Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të vazhdojë të investojë në trajnime dhe përgatitje të vazhdueshme për të garantuar një shërbim sa më cilësor dhe të gatshëm për çdo situatë”, thuhet mes tjerash në njoftim./Telegrafi/