Objekti i ri i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Pejë, tani i plotëson të gjitha kushtet të cilat nevojiten për t’i ndihmuar qytetarëve të shumtë të cilët kryejnë shërbimet në këtë institucion.
Për vite të tëra kjo Drejtori ishte në një objekt të vjetër, por tani është mundësuar që hapësira që posedon ky institucion të jetë krejtësisht i ri, duke ju ofruar stafit dhe qytetarëve një ambient më të përshtatshëm.
Sipas drejtoreshës së Mirëqenies sociale në Pejë, Albulena Mujaj Bajraktaraj, për Telegrafin ka thënë se ky objekt është me standarde të larta dhe ofron të gjitha kushtet e nevojshme.
“Krijimi i infrastrukturës së re padyshim që ka qenë dhe është përgjegjësi e jona direkt kështu që në kuadër të saj ne kemi planifikuar dhe kemi realizuar një objekt të tillë i cili ka qenë edhe vizion i kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili padyshim është objekt me standarde dhe që i plotëson kriteret për operim”, ka thënë Mujaj Bajraktaraj.
Drejtoresha Mujaj Bajraktaraj ka potencuar se në këtë drejtori kryhen mbi 70 shërbime në këtë qendër.
“Ofrohen më shumë se 70 shërbime brenda qendrës, normalisht drejtoria koordinon dhe mbikëqyr punën e Qendrës për punë sociale si dhe funksionon në bazë të subvencioneve. Objekti është me standarde, ofron një numër të konsiderueshëm të zyrave fillimisht që vet punëtorët social me qenë në gjendje të mirë për të ofruar shërbim konkret adekuat dhe cilësor”, është shprehur ajo.
Risi në këtë institucion sipas Mujaj Bajraktaraj, është salla e kontaktimit, e cila thot ajo i mundëson prindërve të divorcuar takime me fëmijët e tyre duke i krijuar atyre një ambient familjarë brenda kësa qëndre.
“Objekt është i përshtatshëm. Në kuadër të tij ekziston një numër i zyrave, është salla e kontaktimit e cila i dedikohet kontaktimit në mes prindërve të divorcuar dhe fëmijëve si jemi munduar të krijojmë ashtu edhe siç na takon ligjërisht një ambient sa më familjarë, sa më miqësor në mënyrë që ky kontaktim të realizohet në mënyrën e duhur”, ka potencuar Mujaj Bajraktaraj.
Ndryshe, Drejtoria për Mirëqenie sociale në Pejë, ka tre sektorë, asistencën sociale dhe skemën sociale, shërbimet, sektorin administrativ dhe atë financiar. /Telegrafi/