Telegrafi

Drejtoria për Bujqësi themelon Komisionin për vlerësimin e dëmeve në prodhimet bujqësore

Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan tashmë ka krijuar Komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në vend.

Drejtori Bajram Isufi ka thënë për Telegrafin se sot është themeluar Komisioni i cili do të bëjë vlerësimin për t’u kompensuar në plotni dëmet e shkaktuara në prodhimet bujqësore.

“Sot është themeluar komisioni i cili do të vlerësoj dëmet e shkaktuara gjatë reshjeve të shumta të cilat shkaktuan vërshime dhe dëme në disa vende të Kosovës”, ka thënë Isufi.

Isufi theksoi se nga vërshimet e fundit, si drejtori, kanë pranuar vetëm një ankesë për dëme në prodhime bujqësore.

“Dëmtime serioze ka pësuar një fermë e pulave në fshatin Nasalë të Komunës së Gjilanit. Atë tashmë e kemi vizituar dhe kemi parë nga afër dëmet që i ka shkaktuar pronarit, megjithatë komisioni do të vlerësojë në vazhdimësi”, ka thënë Isufi.

Ndryshe, kushtet atmosferike kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa vende të Kosovës, mirëpo në Gjilan ka pasur reshje të shumta, por jo  edhe dëme të mëdha. /Telegrafi/