Site icon Telegrafi

Drejtoria e Turizmit promovon Prizrenin në Samitin e mbajtur në Stamboll

Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj ka marrë pjesë në Samitin e Turizmit të mbajtur në Stamboll, ngjarje kjo e organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës në bashkëpunim me agjencinë e njohur turke, “TURSAB”.

Ky samit ka mbledhur përfaqësues nga sektori i turizmit, duke krijuar një platformë për promovimin e bashkëpunimit në këtë sektor, raporton Telegrafi.

“Gjatë këtij samiti, drejtori Tarashaj prezantoi potencialet turistike dhe kulturore të vendit tonë, duke veçuar pasuritë natyrore dhe historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Aty theksohet se angazhimi i zyrtarit komunal ka shkuar në drejtim të rritjes së numrit të vizitorëve në qytetin e vjetër të Prizrenit.

“Ai gjithashtu krijoi mundësi për zhvillimin e një rrjeti bashkëpunimi ndërkombëtar, me qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe rritjen e vizitave në qytetin e Prizrenit”, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version