Site icon Telegrafi

Drejtoria e Arsimit në Gjilan siguron lëndët djegëse për ngrohjen e shkollave

Komuna e Gjilanit ka siguruar lëndët djegëse për ngrohjen e shkollave në qytet.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Shpend Nuhiu, i cili bëri të ditur se të gjitha shkollat janë furnizuar me lëndë djegëse, përveç disa prej tyre që kishin nga sezoni i kaluar dimëror.

Nuhiu theksoi se ngrohja në shkolla tashmë ka filluar dhe, përveç disa mirëmbajtjeve të vogla në sistemet e ngrohjes, nuk ka pasur ndonjë vështirësi të theksuar.

“Ne kemi siguruar të gjitha lëndët djegëse për shkollat dhe, përveç disa mirëmbajtjeve të vogla në sistemet e ngrohjes, nuk kemi hasur në ndonjë problem tjetër. Shkollat janë furnizuar plotësisht dhe disa prej tyre kanë pasur edhe mbetje nga sezoni i kaluar dimëror,” tha Nuhiu.

Ai shtoi gjithashtu se kontrata për furnizim është nënshkruar dhe tani drejtorët e shkollave menaxhojnë nivelet e stokut të lëndëve djegëse.

“Kontrata është e nënshkruar dhe menaxhimi i stokut të lëndëve djegëse tashmë është përgjegjësi e drejtorëve të institucioneve arsimore,” përfundoi Nuhiu. /Telegrafi/

Exit mobile version