Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan është gjobitur me 10 mijë e 500 euro, derisa në lidhje me këtë kanë reaguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan.
Përmes një konference për media, zëdhënësja e LDK-së në Gjilan, Gresa Avdiu, ka thënë se është shqetësuese degradimi i sektorit të arsimit.
Sipas Avdiut, gjoba ndaj DKA-së është shqiptuar si pasojë e jollogaridhënies, duke theksuar se kjo është rëndim për buxhetin e Komunës.
“Bëhet fjalë për një gjobë që i është shqiptuar DKA-së, që përveç se është rëndim për buxhetin e Komunës, është turp për qasjen që ky ekzekutiv ka në llogaridhënie dhe transparencë para qytetarëve dhe organeve kompetente”, ka thënë ajo.
Përgjatë konferencës, Avdiu ka renditur edhe shkeljet e DKA-së.
Avdiu thotë se shumë shkolla kanë dështuar të bëjnë prezantimin e dokumentacionit të kërkuar nga ana e inspektorëve të punës.
Gjithashtu, Avdiu thekson se shumë të tjera nuk kanë arritur të prezantojnë certifikatat shëndetësore për asnjë punëtorë të arsimit. Ndërsa shton se në një institucion parashkollor, drejtoria nuk ka bërë publik konkursin për pranimin e një punëtoreje, ndonëse, sipas saj, kjo kërkohet me ligj.
LDK konsideron se komuna ka mungesë transparence dhe llogaridhënie, ku sipas tyre, ky nuk është dënimi i parë për këtë çështje.
“Ky nuk është denimi i parë për jollogaridhënie që i drejtohet këtij ekzekutivi. Gjoba të tilla të larta prej mijëra eurosh ka marrë Komuna e Gjilanit edhe në fillim të mandatit. Ky nuk është skandali i vetëm, sepse tashmë në çdo konkurs është vërtetuar nepotizmi i paparë e punësimi puro partiak”, tha Avdiu. /Telegrafi/