Site icon Telegrafi

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë merr vendim: Salla e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, nuk do të përdoret për aktivitete të paautorizuara

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ka njoftuar se nga sot nuk do të aprovoj asnjë kërkesë për shfrytëzimin e sallës koncertale të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, përveç aktiviteteve muzikore, për të cilat është e dedikuar kjo sallë.

Në një njoftim të lëshuar nga Drejtoria e Arsimit, thuhet se salla është një aset i rëndësishëm për qytetin, duke theksuar: “Shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’ është shkollë emblemë e qytetit të Gjakovës dhe më gjerë. Jemi me shumë fat që një shkollë e tillë, me një infrastrukturë moderne, gjendet në qytetin e bukur të Gjakovës.”

Salla koncertale, me kapacitet prej 240 ulësesh, është vendi ku zhvillohen aktivitete artistike dhe koncertet e nxënësve të shkollës.

Ajo ka një rëndësi të veçantë për artin muzikor në qytet, dhe sipas Drejtorisë së Arsimit, përdorimi i gabuar i saj ka sjellë dëmtime të shumta.

“Dëmtimet e dukshme e të padukshme po e dëmtojnë këtë sallë dhe po i humbin karakterin e saj të shenjtë. Po çrregullohet procesi mësimor dhe piano koncertale pas çdo lëvizje dëmtohet e çakordohet”, thuhet në njoftim.

Drejtoria ka marrë këtë masë për të ruajtur funksionalitetin e sallës, duke siguruar që ajo të përdoret vetëm për aktivitete që përputhen me funksionin e saj, siç është mësimi dhe aktivitetet muzikore.

“Nga sot, nuk do të aprovohet asnjë kërkesë për shfrytëzimin e kësaj salle, pos aktiviteteve muzikore, për çka është e thirrur kjo sallë,” ka njoftuar Drejtoria e Arsimit në Gjakovë.

Sipas njoftimit, shkolla është furnizuar gjithashtu me instrumente të shtrenjta perkursione, si Timpanët, të cilat janë vendosur në sallë.

“Instrumentet perkursione janë vendosur në skenën e kësaj salle dhe janë të destinuara të përdoren vetëm për qëllime mësimore”

Drejtoria e Arsimit ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe komuniteti muzikor për të siguruar që sallat dhe objektet edukativo-arsimore të ruhen dhe të shfrytëzohen për qëllimet përkatëse.

“Ne besojmë se kjo masë është e domosdoshme për të ruajtur objektet edukativo-arsimore dhe për t’u siguruar që salla koncertale të përdoret për qëllimin e saj të vërtetë,” thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version