Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, të adresuara gjatë një konference për media rreth rastit të rrënimit të ndërtesave në kuadër të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren, aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
Ministri Çeku, të mërkurën, gjatë paraqitjes para mediave ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje është dorëzuar kallëzimi penal ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit, të MMPHI-së, dhe investitorit. Në mesin e të dyshuarve për shkelje ligjore ka përmendur edhe drejtorin e DUPH-së në Komunën e Prizrenit.
Pas këtij zhvillimi drejtori i DUPH-së, Pranverim Berisha në rrjetet sociale ka theksuar se ministrit Çeku “i ka dalë gjumi me vonesë lidhur me Kompleksin “Saraji i vjetër” në Prizren, raporton Telegrafi.
“Pa dashur të përzihem në organet e drejtësisë, ia kujtoj z.Çeku se Prokuroria që në ditën e parë kur ka ndodhur rasti është duke u marrë me rastin në fjalë prandaj konferencën e sotme të tij e shohë si presion në organet e drejtësisë dhe pjesë e lojërave elektorale në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare”, ka shkruar Berisha.
Sipas Berishës në këtë rast organet e MKRS-së nuk janë përgjigjur brenda afateve ligjore.
“E gjithë kjo zhurmë e ngritur sot nga z.Çeku nuk e amniston dhe as nuk mundet me i ikën përgjegjësisë ai si ministër dhe zyrtarët tjerë në MKRS, të cilët në kërkesat (shkresat e lëndës) së zyrtares përgjegjëse që e ka trajtuar lëndën nuk i është dhënë përgjigje sipas afateve ligjore”, është shprehur Berisha.
Ai ka shtuar se organet e drejtësisë duhet ta thonë fjalën e fundit për këtë çështje.
“Si do që të jetë drejtësia do ta thotë fjalën e fundit dhe do të dalë në shesh e vërteta për këtë rast”, ka përfunduar Berisha.
Paraprakisht ministri Çeku ka pohuar se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit është dorëzuar kallëzimi penal ndaj disa personave të dyshuar për shkelje ligjore në rastin e rrënimit të ndërtesave në kuadër të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren, aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
“Sot në Prokurorinë Themelore në Prizren kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune dhe drejtorie përkatëse, drejtoreshës së Departamentit Ligjor të MMPHI-së dhe pronarit privat si investitor, për shkeljet e rendit kushtetues, si të dyshuar për rrënimin e këtij aseti”, ka thënë Çeku.
Sipas tij kompleksi “Saraji i vjetër” kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme dy muaj para se të rrënohej, raporton Telegrafi.
“U rrënua me datën 27 maj 2024, nga pronari privat me qëllim të ndërtimeve për banim kolektiv, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit dhe persona tjerë të lartcekur, të cilët konsiderojmë se kanë bërë shkelje flagrante të Ligjit për trashëgiminë kulturore, kanë vepruar pa autorizime ligjore, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Kurse mosveprimi apo aprovimi i heshtur për shkeljen kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi nga drejtoresha e Departamentit Ligjor të MMPHI-së përbën po ashtu vepër penale në vete sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Çeku.
Tutje ai ka shprehur qëndrimin se lejet e lëshuara nga Komuna e Prizrenit kanë mundësuar rrënimin e asetit të trashëgimisë kulturore.
“Veprimi i rrënimit të asetit është realizuar në saje të dy lejeve të lëshuara nga Komuna e Prizrenit. Leja për rrënim, e lëshuar me 15 janar 2024 dhe leja për ndërtim e lëshuar me 4 prill 2024, të këto dyja të lëshuara në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe Ligjin për ndërtim” ka thënë Çeku.
Ai ka theksuar se në asetet e trashëgimisë kulturore sipas legjislacionit në fuqi lejohen vetëm ndërhyrje restauruese dhe konservuese në përputhje me kushtet ligjore dhe me procedurat administrative.
“Andaj MKRS me institucionet e saja vartëse të saj është i vetmi organ kompetent për lejimin e cilësdo ndërhyrje në asetet që kanë statusin e mbrojtjes ligjore”, ka deklaruar Çeku, teksa ka sqaruar në kronologji edhe veprimet e ndërmarra nga MKRS-ja dhe organet e saja në këtë rast. /Telegrafi/