Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkoloneli Faton Pllana, së bashku me stafin e tij, gjatë së martës ka pritur në takim pune Komandantin e Komandës së KFOR-it Italian për Rajonin Perëndimor, Kolonel Francesco Errico. Pllana po vazhdon ta forcon bashkëpunimin zyrtar me të gjitha institucionet përfshirë edhe KFOR-in.
Gjatë takimit, Drejtori Rajonal Pllana e informoi Kolonelin Errico dhe stafin e tij mbi situatën e sigurisë në rajon, të cilën e vlerësoi si të qetë.
Ai gjithashtu prezantoi disa nga aktivitetet e ndërmarra nga Policia Rajonale për parandalimin e incidenteve dhe aksidenteve.
Në këtë takim u diskutua edhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe forcave të KFOR-it Italian, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e sigurisë së përgjithshme në rajon. /Telegrafi/