Site icon Telegrafi

Drejtori i Emergjencave në Pejë: Zjarri në bjeshkët e Lubeniqit po përhapet, jemi të mobilizuar

Më shumë se katër ditë po vazhdon të mbetet aktiv zjarri në bjeshkën e Lubeniqit përkundër intervenimeve si nga ana e zjarrfikësve të komunës së Pejës po ashtu edhe nga qytetarët.

Në lidhje me këtë komuna e Pejës për Telegrafin ka deklaruar se janë mobilizuar dhe po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ndaljen e zjarrit që ka përfshirë një pjesë të bjeshkës së Lubeniqit.

Sipas drejtorit për emergjenca në Pejë, Gëzim Gashi, terreni i vështirë po e pamundëson shuarjen e zjarrit.

“Është duke vazhduar zjarri, jemi të mobilizuar së bashku me zjarrfikësit jemi duke bërë përpjekje për ta ndalur por është problem pasi nuk po  mundemi të arrijmë deri tek vendi me kamion apo me vetura për shkak të terrenit”, ka thënë Gashi për Telegrafin.

Ai ka paralajmëruar se në këto momente zjarri është i lokalizuar por nëse vazhdon në këto ritme mund të avancojë në grada më të larta.

“Është duke u përhapur, nuk është shumë zonë e madhe për momentin por është duke u përhap, nëse vazhdon me këtë ritëm me u përhap ka me qenë më problem”, ka përfunduar Gashi.

Sipas Gashit ende nuk dihen shkaqet që shkaktuan këtë dëm. /Telegrafi/

Exit mobile version