Drejtori i CIA-s, William Burns, ka mbërritur në Sarajevë sot, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga qarqet e afërta me ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë.
Burns duhet të zhvillojë disa takime në Sarajevë, ndër të tjera, me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Almir Xhuv, si dhe anëtarët e presidencës së BeH-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme.
Një ish-diplomat karriere dhe ish-ambasador në Rusi, Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi ai është gjithashtu një anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë, transmeton Telegrafi.
Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së në janar 2021.
Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023.
Kreu i CIA-s i ka shërbyer gjashtë presidentëve dhe administratave (të të dyja palëve) gjatë gati katër dekadave të shërbimit publik në diplomaci dhe inteligjencë.
Ai është vetëm diplomati i dytë në histori që u bë Zëvendës Sekretar i Shtetit, dhe ishte gjithashtu ambasador i SHBA në Rusi dhe Jordani. /Telegrafi/