Telegrafi

Drejtori i CIA-s në Kabul, Burns mban bisedime sekrete me udhëheqësit e Talebanëve

Presidenti amerikan, Joe Biden dërgoi drejtorin e CIA-s, William Burns për t’u takuar me udhëheqësin e Talebanëve, Abdul Ghani Baradar në Kabul të hënën në takimin zyrtar të nivelit më të lartë që kur grupi militant pushtoi kryeqytetin afgan.

Kështu i thanë reuters të martën një zyrtar amerikan dhe një burim i njohur me aktivitetet qeveritare. Të dy burimet folën në kushte anonimiteti.

Administrata e Bidenit ka evakuuar qytetarët amerikanë dhe aleatët e tjerë mes kaosit në aeroportin e Kabulit para afatit të 31 gushtit për t’u tërhequr nga Afganistani.

Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti, raportoi fillimisht takimin.

Shtëpia e Bardhë dhe një përfaqësues i CIA-s nuk pranuan të komentojnë. Një zëdhënës i Talebanëve tha se nuk ishte në dijeni nëse Baradar takohej me shefin e CIA-s.

Biden javën e kaluar tha se trupat amerikane mund të qëndrojnë në Afganistan pas afatit të tij të 31 gushtit për të evakuuar amerikanët.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Talebanëve, Zabihullah Mujahid tha të martën se grupi nuk kishte rënë dakord të zgjasë afatin për evakuim dhe ata donin që të gjitha evakuimet e huaja të përfundonin deri më 31 gusht. /Telegrafi/