Telegrafi

Drejtoresha Maliqi- Zunçe: Arsimi në Gjilan ka nevojë për përkrahje dhe investime të vazhdueshme

Studio Foto Fari

Nevoja për reforma dhe investime të vazhdueshme arsimore konsiderohen disa nga problemet kryesore në qytetin e Gjilanit.

Drejtoresha e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, Drita Maliqi – Zunçe shpreson se do të ketë më shumë investime dhe përkrahje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan.

“Shpresojmë që do të kemi më shumë investime, përkrahje nga MASHTI dhe Drejtoria Komunale e Arsimit për arsimin e shkollat tona, e në veçanti për shkollën Thimi Mitko”, ka thënë Maliqi – Zunçe për Telegrafin.

Drejtoresha uron që të investohet më shumë në arsim e shkollat e kësaj komune.

“Urojmë që të investohet më shumë në arsim e shkolla, duke ofruar dhe krijuar infrastrukturë më të mirë dhe të përshtatshme, kushte dhe pajisje më të mira, sepse këto ndikojnë drejtpërdrejt në cilësi në arsim”, tha ndër të tjera ajo.

Sipas saj, investimi në arsim është investim në të ardhmen dhe pasurinë shtetërore.

“Sepse, të investosh në arsim e shkolla, kemi investuar në të ardhmen dhe pasuri shtetërore. Arsimi është shtylla kryesore dhe ekonomia më e mirë dhe më fitimprurëse për një shtet”, tha drejtoresha.

Ndryshe, shkolla fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, është shkolla e cila u shpall si njëra nga 20 shkollat kampione në nivel vendi gjatë ceremonisë së “Shënimit të bashkëpunimit dhe arritjeve në sektorin e arsimit fillor në Kosovë”.

Si rezultat i këtij suksesi, drejtoresha e kësaj shkolle theksoi se çelësi i suksesit qëndron në atë se shkolla posedon mësimdhënës të kualifikuar, profesional dhe kompetent për punën që e bëjnë.

“Çelësi i suksesit në shkollën tonë është se kemi mësimdhënës të kualifikuar, profesional dhe kompetent për punën që e bëjnë në mësimdhënie. Mësimdhënësit e shkollës sonë kanë mbaruar shumë trajnime si dhe vazhdojnë në çdo kohë të trajnohen e përparojnë sa herë që u jepet mundësia”, ka potencuar ajo.

Përveç kësaj, drejtoresha tha se në këtë shkollë ka shumë resurse, që shpesh herë mësimdhënësit e shkollës organizojnë vullnetarisht shumë punëtori, trajnime dhe seminare për ndarje dhe shkëmbim të përvojave dhe dijeve.

Gjithashtu, theksohet se edhe klubet e nxënësve organizojnë gara, kuize dhe programe kulturore, edukative dhe arsimore.

Si udhëheqëse e kësaj shkolle, Maliqi – Zunçe thotë se ka krijuar unitet dhe frymë bashkëpunimi në kolektivin e shkollës, duke i motivuar dhe mbështetur edhe mësimdhënësit. /Telegrafi/