Drejtoresha e Korpusit të Paqes (Peace Corps), Carol Spahn, të enjten ka vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ajo gjatë kësaj vizite ka takuar drejtuesit, stafin dhe studentë të këtij institucioni arsimor.
Drejtoresha e Korpusit të Paqes (Peace Corps), Carol Spahn, e shoqëruar nga Alyson Grunder dhe drejtoresha e këtij Korpusi në Kosovë, Carolyne Siganda, janë pritur ngrohtësisht në Universitetin e Prizrenit.
Rektori, Mentor Alishani, u shpreh falënderues për këtë vizitë por edhe fuqizimin e bashkëpunimit mes Universitetit dhe Korpusit të Paqes.
Drejtoresha e Korpusit, Carol Spahn, gjithashtu e vlerësoi bashkëpunimin me këtë Universitet, dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes mësimdhënësve dhe studentëve, drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë, njofton Tv Prizreni.
Ndërkaq në interesimin e të pranishmëve për prioritetet në fushën e arsimit nga kjo organizatë amerikane në vendin tonë, drejtoresha për Kosovë e këtij Korpusi, Carolyne Siganda, tha se po bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e arsimit në vendin tuaj për të mbështetur kuadrot e mësimdhënësve vendor.
Ndryshe, kjo vizitë e drejtores, Carol Spahn vendit tonë, po realizohet me rastin e shënimit të 10 vjetorit të shërbimit të mbi 220 vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë.