Site icon Telegrafi

Drashkoviq: Serbia duhet të distancohet nga Putini, përndryshe do të bëhet “Venezuela ose Siria e Ballkanit”

Ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, ka thënë se Serbia duhet të distancohet nga Rusia dhe Vladimir Putini, ose, siç ka vlerësuar ai, do të bëhet “Venezuela e Ballkanit” ose “Siria e Ballkanit”.

“Ne duhet të shkojmë në anën e qytetëruar të botës dhe një ditë Rusia do të kthehet, kur e keqja të ketë mbaruar, kur njerëz të rinj të udhëheqin Rusinë dhe ajo do të kthehet në anën e qytetëruar të botës”, ka thënë fillimisht Drashkoviq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ai gjithashtu thotë se në Ukrainë po zhvillohet një luftë dhe se nuk është e vërtetë se ky është një “operacion special ushtarak”.

Lexo po ashtu Drashkoviq: Argumenti se 'Rusia është kundër pavarësisë së Kosovës' është i pavërtetë

“Është një fakt alarmant që 80 për qind e qytetarëve serbë janë kundër çdo sanksioni kundër regjimit të Kremlinit. Këta janë njerëz që mbështesin agresionin e Putinit kundër Ukrainës, duke e ‘mbështjellë’ atë me vëllazëri historike dhe besnikëri ndaj popullit rus”, ka thënë më tej Drashkoviq.

Dhe ai shton se nuk është e vështirë të shpjegohen arsyet e një qëndrimi të tillë të qytetarëve serbë.

“Putini shpalli agresionin kundër Ukrainës me fjalët – se Ukraina është një gabim historik, një shtet i rremë që nuk duhet të ekzistojë. Para deklaratës së Putinit, propaganda e KGB-së, UDB-së serbo-ruse, përsëriste pa pushim këtu se BeH është shtet fals, se Kosova është shtet fals, se Mali i Zi është gabim historik. Këta njerëz nuk janë për evropianizimin e Ballkanit, ata janë për Putinizimin e Ballkanit”, ka thënë ndër tjerash Drashkoviq. /Telegrafi/

Exit mobile version