Site icon Telegrafi

Drama “Ping Pong dhe Dashuri” këtë javë prezantohet para publikut në Prizren

Premiera e dramës “Ping Pong dhe Dashuri”, që është shpallur fituese e platformës për zhvillimin e dramës bashkëkohore vendore Contempora 2023, të organizuar nga Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, do të shfaqet më 17, 18 dhe 19 tetor 2024, kanë njoftuar drejtuesit e këtij teatri.

Sipas tyre teksti dhe regjia janë realizuar nga Butrint Pasha, derisa në role interpretojnë aktorët: Alban Krasniqi, Blin Mani, Edona Sopaj dhe Alban Çela.

Premiera edhe kësaj here realizohet në skenën “Black Box”, për të shpalosur një temë të pranishme në realitetin kosovar.

Drejtori i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa ka bërë të ditur se në kuadër të dramës paraqitet përballja me realitetin e vrazhdë urban.

“Në qendër të dramës është familja Fatmir Filigrani, e cila jeton në një shtëpi të vogël, të mbetur mes një kompleksi të madh banesor. Kjo shtëpi e vogël dhe e vjetër bëhet simbol i qëndresës përballë ndërtimeve të egra që kanë mbuluar qytetin. Megjithëse ndërtuesit bëjnë presion të vazhdueshëm për t’i detyruar të largohen dhe të prishin shtëpinë, familja refuzon të dorëzohet. Kjo rezistencë e tyre për t’u përballur me një realitet të vrazhdë urban bëhet një lloj “ping pongu” midis tyre dhe botës së jashtme, ku përpjekjet për të mbrojtur shtëpinë përzihen me ndjenja të thella dashurie, humbjeje dhe nostalgjie”, ka thënë Mustafa.

Tutje ka shtuar se në dramë gërshetohen çështjet që janë preokupim i shoqërisë.

“Shfaqja trajton temën e përplasjeve sociale dhe emocionale të shkaktuara nga zhvillimi i pakontrolluar urban dhe ndërtimet e egra, duke ofruar një reflektim mbi vlerat e trashëgimisë familjare dhe të identitetit përballë presionit të kapitalit dhe modernizimit të pashpirt”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka sqaruar se kjo është premiera e tretë për këtë vit e Teatrit “Bekim Fehmiu”.

“Pas kësaj premiere, do të fillojmë projektin e ri teatror, që është risi për Teatrin e Prizrenit dhe paralelisht me të do të mbahet edicioni i dytë i Contempora”, është shprehur Mustafa.

Teatri ‘Bekim Fehmiu’ Prizren pat bërë të ditur se me konkursin Contempora synon zhvillimin e dramës së re shqipe, jo vetëm me lexime skenike, por edhe me vazhdimin e zhvillimit të dramave në bashkëpunim me konsulentë dramaturgjik deri te vënia në skenë. /Telegrafi/

Exit mobile version