Pas një muaji e gjysmë punë intensive nga punëtorët e KEDS-it, ka marrë formën përfundimtare projekti i rikonstruimit të rrjetit në Trafostacionit Shajne 2 në komunën e Dragashit.
Sipas një njoftimi të KEDS, gjatë kësaj pune është bërë ndërrimi komplet i rrjetit të vjetër me atë të ri dhe janë zëvendësuar përçuesit e paizoluar me rrjet të ri kabllor ajror.
“Janë vendosur shtylla të betonit në vend të atyre të drurit që kanë qenë të dëmtuara dhe kanë paraqitur rrezik. Me këtë është shtuar shkalla e sigurisë, si dhe janë zvogëluar humbjet teknike të tensionit të mesëm”, thuhet në njoftim.
Po sipas KEDS, janë gjithsej 106 familje të kësaj ane që do të përfitojnë dhe do të kenë tension stabil, duke shtuar se ky projekt ka 3 dalje të tensionit të ulët.
Sipas koordinatorit të Mirëmbajtjes, Qemal Mehmeti , punëtorët e KEDS-it kanë punuar pandërprerë.
“Me këtë projekt është bërë edhe balancimi i daljeve të tensionit të mesëm, si edhe aty ku ka qenë e nevojshme është bërë edhe dislokimi shtyllave nga oborret e shtëpive. Mendoj se me këtë projekt, benefitet si për konsumatorët ashtu edhe për kompaninë janë të konsiderueshme”, ka thënë Mehmeti.
“Materiali i implementuar nga punëtorët e KEDS-it ka qenë mjaft voluminoz. Janë vendosur dhjetëra shtylla betoni, janë shtrirë mijëra metra kabllo, si dhe një sasi e madhe betoni dhe gypave nga ai. Ky nuk është i vetmi projekt i KEDS-it në këtë rajon. Në realizim e sipër janë punimet në rrjet në fshatin Blaç të kësaj ane”, thuhet në njoftimin e KEDS.