Ai ndoshta është i intervistuari ynë më i veçantë, sepse sapo të përmendet emri i tij menjëherë të përfytyrohet një njeri me I.Q. shumë të lartë. Me të ke çka të bisedosh për gjithçka: prej këngëve popullore, e deri te astronomia, prej otokirurgjisë deri te letërsia botërore, prej vizatimit e deri te sporti. Ai është i gjithanshëm, sepse testimet e “Mensa International” nxjerrin në shesh personat që kanë inteligjencë të përgjithshme shumë të lartë.
Ne, kësaj radhe duke mos dashur t’i hyjmë në hak, u përcaktuam që të prekim vokacionet e tij, të gjitha nga pak. Po, ku është më i suksesshëm dr. Aziz Mustafa, është mirë ta vlerësoni vet nga përgjigjet e tij, të cilat shpalosin modestinë, por edhe mrekullinë në çdo lëmi.
Dr. Mustafa, fillimisht ju falënderojmë për kohën dhe ju përgëzojmë për sukseset që po i shënoni në profesionin tuaj si mjek dhe ne artin letrar, mbase edhe falë koeficientit të inteligjencës suaj të lartë. Kur është zbuluar kjo inteligjencë tek ju dhe nga kush?
Në shtator të vitit 1988, pas lajmërimeve në revistën për promovimin e shkencës dhe teknologjisë “Galaksija”, lexues i rregullt i së cilës kam qenë asokohe, u futa në testimin oficial të organizuar nga “Mensa International”. Ky testim i kryer Beograd, ishte edhe testimi i parë në ish-Jugosllavi. Pasuan më vonë edhe testime në Zagreb, Lubjanë dhe Novi-Sad, prej nga në nëntor 1990 u anëtarësuan në “Mensa Jugoslavija” 701 anëtar.
Mbase jeni shqiptari i parë i cili i jeni nënshtruar testimit nga MENSA?
Sipas të dhënave që kam, duket se është ashtu. Në Kongresin themelues në Zagreb me 1990, nga 701 anëtarët e parë të Mensa-s, kam qenë shqiptari i vetëm. Nuk kam të dhëna për ndonjë shqiptar tjetër të jetë nënshtruar testit të Mensa-s. Nëse ka të tillë, të lajmërohen. Sipas të dhënave të Mensa-s, 2% e popullsisë ka koeficient mbi 148, me shkallën Stanford-Binet, që është edhe kusht për anëtarësim. Nuk është çështja a ka njerëz me inteligjencë shumë të lartë, por a testohen ata, a dalin në shesh.
A ka të bëjë inteligjenca me ndonjë dhunti natyrore, apo vjen si pasojë e punës, motivit dhe përkushtimit?
Po, inteligjenca është dhunti natyrore. Përkufizimi më i thjeshtë për inteligjencën është se paraqet aftësinë për të gjetur zgjidhje për një problem me të cilin nuk je ballafaquar kurrë më parë. Nuk është as dije, as njohuri, as erudicion. Nëse keni inteligjencë të lartë, keni parakushtin e lindur për të mbërrirë ne jetë, me punë sistematike, vetëmohuese e të palodhur.
Cilët janë personat që kanë arritur maksimumin e grafikonit të inteligjencës së njeriut?
Prej personave që jetojnë, me shkallën Stanford-Binet, anëtarë të “Mensa” në listë prin australiani Terence Tao-I.Q-230, e dyta është amerikania Merlin Vos Savant-I.Q-228, i treti amerikano-japonezi Christopher Hirata-I.Q-225, i katërti koreano-jugori Kim Ung-Yong-I.Q-210, i gjashti është kampioni botëror i shahut, rusi Gary Kasparov-IQ-190, i dhjeti është Stephen Hawking-I.Q.-160, i cili ka mahnitur botën me librat e tij mbi kozmologjinë dhe me mbijetesën e tij me sëmundjen e paralizës amiotrofike (motor neuron disease). Nga personat që nuk jetojnë më, besohet se koeficientin më të lartë e kanë pasur poeti gjerman Goethe, pastaj da Vinçi, Njutni, Leibnitz-i, Ajnshtajni, J.S. Milli, Erazmus-i, Galilei, Dekarti, Mikelangjelo, Spinoza, Faraday, Rafaeli dhe Dikensi.
Por, a është inteligjenca, faktori kyç i sukseseve të njeriut në akëcilin profesion?
Po, por nuk është i vetmi. Inteligjenca nuk është instrument matës, nuk është masa e përkryer me të cilën mund të matet gjenialiteti. Një shembull: në listë nuk është Mozarti, dhe shumë gjeni të shumë lëmive të ndryshme që kanë dhënë shumë për shkencën dhe kulturën botërore. Pse? Sepse ka inteligjencë muzikore, verbale, figurative, matematikore, sportive, në shkathtësi etj, etj. Testet e “Mensa”-s kanë një karakteristikë kryesore: janë të njëjtat teste që mbahen kudo në botë dhe janë të pavarura prej kulturës, pra i njëjti test mbahet në Angli, Japoni, Australi, Afrikë e kudoqoftë. Si të tilla, masin një inteligjencë të përgjithshme dhe nuk është e njëjtë si të jesh inteligjent dhe të jesh gjeni. Gjenialiteti matet me atë se çka ke kontribuar për njerëzimin, çfarë vepra dhe ide të reja, të panjohura deri atëherë ke lënë trashëgimi për brezat.
Sa raste gjenden në Kosovë me inteligjencë të tillë të lartë dhe çka flet kjo për një popull?
Nëse kthehemi te ai 2%-shi i “Mensa”-s, me një llogari të thjeshtë del se Kosova 2 milionëshe, ka dikund 40.000 persona që plotësojnë kriteret të jenë anëtar të shoqatës së njerëzve super-inteligjent. Deri para nja 4-5 viteve, kemi qenë vetëm unë dhe Prof. Besnik Bislimi i Universitetit AUK anëtar të “Mensa International”. Por, në Kosovë janë afërsisht edhe 120 deri 150 të rinj të moshës 16-18 vjeç, të cilët janë testuar nga psikologët kosovarë të licencuar në projektin “Atomi” që e kanë mbërrittë limitin për të qenë anëtarë të “Mensa”. Deri më tani, 10 prej tyre kanë aplikuar në “Mensa International” dhe janë pranuar pa problem, sepse kualiteti i testimit të “atomistëve” është vlerësuar lart nga psikologët e “Mensa”-s. Nga këtu i inkurajoj të gjithë “atomistët” të aplikojnë, me referenca të psikologëve Prof. Nait Vrenezi, Prof. Jusuf Thaçi dhe Prof. Florim Gallopeni, të cilët na kanë përkrahur në projektin tonë për themelimin e “Mensa Kosova” dhe që i falënderoj nga zemra. Posaçërisht Prof. Florimin i cili vullnetarisht ka pranuar të jetë Psikolog Mbikëqyrës Kombëtar për testimet e ardhshme të “Mensa Kosova”. Kjo flet se kemi një rini shumë inteligjente dhe se shoqëria jonë duhet më në fund të vetëdijesohet se rrjedhja e trurit, dmth ikja e ekspertëve dhe të rinjve nga Kosova, është një sëmundje e rëndë për shoqërinë dhe se pasojat e kësaj sëmundje do të ndihen në dekadat e ardhshme. Nga këtu i ftoj dhe inkurajoj të gjithë njerëzit që mendojnë se kanë inteligjencë të lartë të vijnë dhe të testohen.
A do të thotë kjo se ekziston “Mensa Kosova”?
Ekziston Komiteti Organizativ ku jam unë, Prof. Besnik Bislimi dhe katër anëtarë të “Mensa”-s që janë njëkohësisht edhe “Atomistë”: Jona Rada, Edita Pozhegu, Bardh Rraci dhe Endrita Rrahmani. Jemi në kontakt me Drejtorin për Zhvillim z. Bjorn Liljenquist dhe Drejtorin Ekzekutiv të “Mensa International”, z. Michael Feenan, i cili do të vizitojë së shpejti Kosovën për të parë përgatitjet tona për testimet dhe ngritjen në këmbë të “Mensa Kosova”.
A ia keni pa ju ‘hajrin’ inteligjencës suaj?
Në kuptimin e gjerë të fjalës, po, sepse kur e kam kuptuar se e kam këtë dhuratë nga Zoti, më ka inspiruar të punoj më shumë. Babai im i ndjerë, sukseset e mija ia dedikoj shpirtit të tij të bardhë, më thoshte: “Talenti duhet 5%, punë duhet 95% për me arrit sukses”. Në kuptimin e ngushtë të fjalës, jo sepse nuk jam pranuar në as në fakultet, as në magjistraturë, as në doktoratë, as në specializim, as në Shoqatën Botërore të Otologëve me referencë të “Mensa”-s. Nuk kam kërkuar kurrë përkrahje institucionale. “Mensa” është shoqatë me organizim vullnetar dhe krejt puna që bëjmë në ngritjen e “Mensa Kosova” është punë vullnetare dhe bëhet me dëshirën që të rinjtë super-inteligjentë t’i identifikojmë, t’i grupojmë dhe t’i përkrahim.
Dr. Aziz, mund të themi se edhe Kosova, tashmë e ka Da Vinçin e vet?
Ndoshta, por ai nuk jam unë sigurisht. Unë rastësisht jam shqiptari i parë që është testuar nga organizata më e madhe botërore e njerëzve superinteligjentë. Unë jam vetëm një nga dyzetmijë që ka Kosova.
A, ka raste kur një njeri me inteligjencë nuk ka mundur të arrijë asgjë për shkak të paragjykimeve apo rrethanave?
Sigurisht po. Një thënie e vjetër, e kam dëgjuar në vitet ’80, thoshte: “Shumë gjeni kanë vdekë mbi parmendë”. Të tjerë kanë vdekë në varfëri, të paafirmuar.
Ju, megjithatë inteligjencën e keni begatuar me studime dhe keni arritur të bëheni mjek i njohur për kirurgji të veshit.
Po, por aspak nuk jam i kënaqur: punon në një vend me sistem të rrënuar shëndetësor, ku nuk je i sigurt të sëmuresh, jeton ku jeta kushton më se liri, ku vdiset nga kafshimet e qenve, nga thumbimet e rriqrave dhe nga komplikacionet e infeksioneve të veshit; je pjesë e atij sistemi dhe nuk mund të bësh asgjë, sepse ata që janë në vendet kyçe, në pushtet, në parlament dhe qeveri nuk dinë ose nuk duan të bëjnë atë për të cilën janë zgjedhur. Nuk ka shëndetësi në Kosovë pa u ba ky segment prioritet qeveritar.
Tashmë, keni krijuar një karrierë dhe keni depërtuar edhe jashtë Kosovës, sidomos me punimet shkencore. Si janë vlerësuar ato?
Nuk do t’i quaja shkencore, më mirë profesionale. Janë analizimi i rezultateve tona të punës së përditshme. Jam autorë dhe ko-autorë i 23 punime në Google Schoolar, 15 në Scopus dhe 15 punimeve në Pubmed, 3 databazat më eminente të literaturës mjekësore. Jam i cituar nja 80 herë që është një kontribut shumë modest, por duhet theksoj se revistat që botojnë punimet profesionale-shkencore nga lëmitë kirurgjike kanë një impakt faktor të vogël dhe citohen pak, prandaj nuk mund të krenohem me ndonjë të arritur të veçantë në këtë drejtim.
Përveç që jeni profesionist në lëminë tuaj, jeni edhe një lexues shumë i pasionuar. Cilat libra ju tërheqin më shumë dhe kënd e keni shembull në krijimtari?
Librat kanë qenë dhe mbetën miqtë e mi më të mirë, kanë qenë bota ime fiktive, bota e fshehtësive, aventurave dhe pasioneve. Në kohën kur nuk ka pasur internet dhe botë virtuale, në kohën kur televizori bardh e zi ka dhënë një herë në javë ndonjë film artistik dhe emisionet kryesore kanë qenë lajmet qendrore që kanë shërbyer për qëllime të politikave ditore të asaj kohe, libri ka qenë dritarja ime kryesore me shikim kah bota. Kam lexuar duke ruajtur lopët si kalama, kam lexuar në autobus për çdo ditë nga dy orë në relacionin Gjilan-Prishtinë, kam lexuar para gjumit, thjesht nuk mund të flejë nëse nuk lexoj diçka para gjumit, sado i lodhur të jem. Lexoj libra artistikë, kryesisht poezi, tregime, romane, biografi, kryesisht gjëra të zgjedhura. Shkrimtarët e mi të preferuar janë: Ismail Kadare, Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Musa Ramadani, Ali Podrimja, Beqir Musliu dhe Azem Shkreli nga vendorët, kurse nga të huajt Umberto Eco, Orhan Pamuk, G.G. Marquez, Dan Brown (anëtar i “Mensa USA”!) dhe H.L. Borges janë shkrimtarët e mi të preferuar që i kam lexuar dhe i rilexoj me ëndje. Veprat e Kadaresë, sidomos “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” janë libra që në fëmijëri nuk i kam kuptuar, por kur jam rritur, gjatë viteve më të vështira të jetës më kanë shërbyer si terapi, si ngushëllim dhe frymëzim. Le ta shajnë e le ta kritikojnë sa të duan, mos t’ia japin kurrë Nobelin, por askush nuk mund ta mohojë se është shkrimtari i gjallë më i madh në botë dhe shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.
Por, ju krijoni edhe vetë, madje keni botuar disa libra me poezi dhe tregime, por jeni edhe fitues i disa çmimeve për poezi. A është ky një hobi, apo një talent tjetër që është ‘rebeluar’ tek ju?
Mirë e thatë, rebelim. Po, arti letrar për mua është rebelim dhe ata që kanë lexuar poezitë e mija më kanë thënë se kanë vërejt protestë artistike. Trashëgimia ka rol edhe këtu, sepse pa marrë parasysh se rrjedh nga prindër analfabetë dhe gjysmë analfabetë, në familjen time ka pasur bejtexhi. Një kushëri i gjyshit tim, Mixha Ali ka thurë vargje, që pleqtë e fshatit i recitojnë edhe sot. Gjyshja ime e ndjerë, Nana Rabë, poashtu analfabete, ka pasur një aftësi të tillë narrative, sa çdo natë na ka treguar përralla, legjenda, këngë popullore epike, në dritë të llambës së vajgurit ashtu që imagjinata ime dhe dëshira për të treguar bukur ka lindur atëherë kur nuk kam ditë ende të shkruaj e lexoj. Vjershat e para i kam botuar në shkollën fillore, kurse gjatë viteve të fundit të fakultetit kam shkruar librin e parë me poezi që më është botuar me 1996, pastaj një tjetër me 1999 dhe një tjetër me 2004. Libri i fundit, botuar në shtator të vitit 2014 është sprova ime e parë në prozë. Si po shihet, unë shkruaj dhe botoj pak. Ju mbetet lexuesve dhe kritikëve t’i vlerësojnë veprat e mija, unë e kam thënë fjalën time.
Cilat tema ju intrigojnë më së shumti kur merrni për të shkruar?
Përditshmëria, ndjenjat, pasionet, liria, dashuria, miqësia, fëmijët, njerëzit e veçantë që takoj, gjithçka që më frymëzon është temë e poezive dhe tregimeve të mija.
Krahas shkrimeve, keni edhe një muzë tjetër, atë për artet pamore. Sigurisht, të gjitha këto e plotësojnë njëra tjetrën, meqë komunikojnë ngushtë duke nxjerrë një sintezë të pranueshme dhe të vlerësueshme…
Vizatoj mirë, e kam të lindur, por në mënyrë profesionale nuk kam provuar të pikturoj. Më pëlqen fotografia artistike, por profesioni i mjekut më le pak, të mos them aspak hapësirë për këtë muzë.
A keni ndonjë dhunti tjetër?
Di të këndoj mirë, i di shumicën e teksteve të këngëve qytetare dhe popullore dhe vallëzoj vallet popullore.
Arti kërkon shumë, madje nuk thuhet kot, se arti edhe “vret”. Poashtu, nuk thuhet rastësisht se gjërat që duam më së shumti, ato na shkatërrojnë më së shumti shpirtërisht…
Pajtohem pjesërisht me konstatimet tuaja, por kur shtrohet çështja a mund të jetojmë pa art, dhe a jetojmë nga arti, atëherë gjërat ngatërrohen, komplikohen dhe nga shumë faktorë varet cili artist në cilën kategori hyn: e vret artin ose arti e vret atë.
Si i keni punët me kohën, sepse jo të gjitha gjërat koha i rregullon, madje disa, çuditërisht i ngatërron?
Punët me kohën i kam katastrofë, jam në luftë të vazhdueshme me të. Është shumë palidhje me qenë dita 24 orë. Ish dashtë së paku 28. Edhe ndarja e kohës: 8 orë punë, 8 pushim dhe 8 për rrethin (vizita, familja e gjerë, shoqëria) është jo e drejtë. Ishte dashtë puna- 16 e këto tjerat nga katër. Po bëj shaka. Vërtet kam shumë angazhime: punoj në QKUK në Prishtinë, punoj në ordinancën time private në Gjilan dhe duhet mjaft mund me i mbërri të gjitha.
Megjithatë, a gjeni mundësi që të kaloni çaste të mjaftueshme edhe me familjen tuaj?
Ky është problemi më i madh që kam. Mbërrij natën në shtëpi me ia tregu Lirës përrallën para gjumit. Nëse fëmijët e mi, Merita studente e Mjekësisë, Learti semi-maturant dhe Lira 6 vjeçe, mbërrijnë diçka në jetë dhe bëhen dikushi, meritat më të mëdha i ka bashkëshortja ime që i ka ushqyer, përgatitur dhe kujdesur për ta, kurse mua më ka përkrahur në çdo hap timin. Mundohem së paku vikendeve të jem me ta, por del ndonjë kujdestari, ndonjë operacion urgjent, ndonjë punë që nuk pret dhe …
A zhgënjehesh ndonjëherë dhe a pajtoheni me thënien se dëshpërimin duhet mbajtur larg dhjetëfish, sepse më vështirë është të përballosh dëshpërimin, sesa pikëllimin?
Zhgënjehem, por gjej forca për ta përballuar. Më ka pëlqyer gjithmonë më së shumti një thënie, që nuk mbaj mend kush e ka thënë: “Atë që nuk e ke, huazoje nga vetvetja”.
Si mjek që luftoni sëmundjen dhe shpëtoni jetë, cili është kuptimi i jetës për ju?
Jo rastësisht jam gjetur në anën e atyre që luftojnë për jetën, jo rastësisht jam rreshtuar në armatën milionëshe të punëtorëve shëndetësorë, që të armatosur me betimin e Hipokratit në zemër dhe me ndjenjat humane në shpirt, luftojnë sëmundjen dhe përkrahin jetën. Profesionin ma ka propozuar babai, shpirti i bëftë dritë, unë e kam pranuar me zemër. Kam kuptuar se jeta është më e çmuara që kemi dhe lufta për jetën do të jetë përherë lufta e vetme që do të bëj.
Dhe, për fund doktor Aziz, çka presim nga “laboratori” juaj shkencor dhe krijues?
Punën e parë imediate që kam për të bërë, është ngritja në këmbë e “Mensa Kosova”. Në anën profesionale po mundohem të mbaj nivelin në një kohë shumë të rëndë për shëndetësinë kosovare. Nga krijimtaria letrare, kam diçka nëpër duar, por nuk dua ta zbuloj. I kam borxh brezave që vijnë, prandaj dua tu lë në duar diçka që ka vlerë. /Telegrafi/