Site icon Telegrafi

Doracakët për edukimin seksual, reagon edhe Drejtoria e Arsimit në Prizrenit

Drejtoria Komunale e Arsimit të Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me përmbajtjen e doracakëve për edukimin seksual, duke theksuar se ato nuk kanë gjetur zbatim në shkollat e kësaj komune.

“Drejtoria Komunale e Arsimit të Komunës së Prizrenit me kohë ka vërejtur se materialet e përgatitura nga MAShTI lidhur me edukimin seksual nuk i plotësojnë kriteret e zbatueshmërisë, dhe se programi i tillë nuk përkon me kontekstin kulturor dhe normat e shëndosha shoqërore”, thuhet në reagim.

Tutje theksohet se ndonëse “në këto materiale mund të ketë ‘importe’ të praktikave të ndryshme në vendet evropiane, megjithatë nuk përkojnë me realitetin tonë dhe nuk na ndihmon në rrugën tonë të angazhimit të komunitetit arsimor drejt një rinie të shëndoshë me mendim kritik të zhvilluar”.

“Andaj materialet e këtilla kurrë nuk kanë gjetur zbatim në komunën tonë, duke shmangur kështu dëmet e mundshme shoqërore dhe sidomos dëmet në procesin e arsimimit të brezave të rinj. Gjithashtu, duke marrë parasysh se materialet e këtilla nuk përkojnë as me kurrikulën, si material jo obligativ, format e edukimit seksual në formën e rekomanduar nga MAShTI përmes këtyre udhëzuesve nuk kanë gjetur zbatim në shkollat tona”, vijon reagimi.

Madje DKA-ja e Prizrenit ka vlerësuar se kjo qasje është improvizim që rrezikon vlerat që synohet të kultivohen përmes arsimimit.

“Me gjithë tendencën e mirë të MAShTI-t, ky improvizim i këtillë, që çoi drejt një polarizimi të shoqërisë edhe ashtu të dëmtuar nga qeverisja aktuale, tregon papjekuri, mendim jo strategjik të thelluar, improvizim dhe lajthitje të të gjithë komunitetit arsimor në Kosovë në rrezikimin e vlerave që mëtojmë t’i kultivojmë përmes arsimimit”, thuhet në reagim.

Në fund konfirmohet se materialet e tilla nuk do të gjejnë zbatim.

“Deri sa të mbushen mend përgjegjësit dhe të hartojnë politika të përshtatshme lidhur me këtë temë, materialet e tilla nuk mund të realizohen në komunën tonë. Shkurt e thjeshtë: materialet e këtilla tek ne nuk kalojnë”, përfundon reagimi i DKA-së në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version