Site icon Telegrafi

Donat Qosja: Skenën, shpesh e barti (edhe) në shtëpi!

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Donat Qosja, është dëshmuar edhe aktor i filmit. Ai në filmin “Kukumi”, me skenar dhe regji të Isë Qosjes, krahas Anita Ismailit, ka pasur rolin kryesor të mashkullit që i kushtohej luftës së fundit në Kosovë.Donat Qosja ishte dhe mbetet një aktor i adhuruar, i pëlqyer dhe shumë produktiv. Po cili është Donati jashtë skenës dhe ekranit?
Mund të them se shumë shpesh e barti skenën edhe në shtëpi, sidomos kur bashkëpunoj me babin tim, konsultohemi dhe flasim për projektet. Përndryshe, si çdo njeri që ka familje, edhe unë mundohem t’i kushtoj sa më shumë kohë dhe vëmendje familjes sime. Ato, po them ato, sepse janë gruaja ime dhe vajzat e mija, më inspirojnë dhe më motivojnë që të vazhdoj atë që bëj.

Donat, alias Naim Shalci, tashmë jeni identifikuar me këtë rol dhe sikur po dominon emri i rolit tuaj. Kush është në të vërtetë Donati?
Si duket popullariteti i serialit ka bërë që shumë njerëz të më thërrasin edhe Naim, nuk e marr si dukuri negative; jam i gëzuar që njerëzve iu pëlqen seriali dhe puna që bëjmë të gjithë aktorët aty. Shpresoj se edhe pas përfundimit të këtij seriali, të ketë projekte të tjera të cilat do të pëlqehen nga publiku, sepse vetëm kjo ka mbetur si barometër i suksesit për punën që bëjmë. Si Donat, si aktor, mundohem që punën time ta kryej me përkushtim dhe përgjegjësi të madhe, kjo më sjell edhe mua kënaqësi të madhe.

Ju keni diplomuar në degën e Aktrimit të Akademisë së Arteve të Prishtinës, dhe keni patur fatin që menjëherë të angazhoheni në projekte të ndryshme televizive, nëpër seriale, por edhe në film. Ku e gjeni veten me mirë?
Për mua, skena, ashtu edhe ekrani janë puna ime dhe të dyja më krijojnë kënaqësi. Qasja në to dallon, mirëpo thuhet se skena të bën aktor, ndërsa filmi të bën të famshëm.Fillimisht jeni angazhuar në teatër, pastaj keni luajtur në disa projekte vizive, kurse sikur jeni stabilizuar në serialet satiriko-komike. Duket se këtu e keni gjetur veten më së miri, ose së paku, shikuesit ju kanë pranuar shumë mirë…
Nuk është se unë jam stabilizuar, është vet seriali dhe suksesi që ka arritur ai që e ka bërë të vazhdojë për 8 sezone dhe, unë si pjesë e tij, kam bërë punën time bashkë me kolegët. Gjatë kësaj kohe kam punuar edhe në teatër e film dhe kam arritur të shkëputem kohë pas kohe prej Naimit dhe të punoj në karaktere tjera.

Keni një personazh shumë interesant në ‘Kafene…’. Si e përshkruani ju karakterin e juaj në këtë Tv serial?
Puna në serial është interesante, e veçantë nga të tjerat. Fillimisht nuk mund ta dish se nga do të shkojë karakteri yt, sepse keni në dorë vetëm skenarin e episodit të parë dhe nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrin personazhet, përkundër një filmi apo drame ku dihet se çka ndodhë me personazhet prej fillimit deri në fund. Kështu, fillimisht Naimi, ka pasur vetëm kapuçin dhe qumështin si vija të vrazhda që e kanë karakterizuar atë, kështu kam vazhduar punën time dhe skalitjen e këtij karakteri. Pastaj, bashkëpunimi me personazhet tjerë, marrëdhëniet, rrethanat, e kanë ndihmuar dhe e kanë sjellë një Naim, çfarë është tani.

Sjelljet tuaj skenike krijojnë një karakter interesant, me një humor të lehtë dhe noshalancë. Prej nga vjen ky tip, ky Naim?
Nga bodrumi i Donatit, ndoshta edhe tavani! Janë situatat e caktuara të cilat e bëjnë të reagojnë në mënyrë të caktuar një karakter, e situata të tilla të mira, kemi mjaft në kafene, të krijuara nga skenaristi Astrit Kabashi, i cili ka arritur ta ruajë freskinë e skenarit gjatë gjithë kësaj kohe.

Çfarë ju bën më shumë për të qeshur gjatë xhirimeve të serialit?
Gjatë xhirimeve ndodhin shumë gjëra të papritura dhe qeshim shumë, situatat në të cilat gjendemi nganjëherë, janë ato që na bëjnë të qeshemi më së shumti me njëri-tjetrin. Ndodhë që nuk mund të kalojmë përtej ndonjë momenti për shkak të qeshjes dhe duhet të marrim pauzë për t’u qetësuar. Kjo mund të irritojë pjesën tjetër të ekipit, por janë gjëra që ndodhin sidomos në këtë zhanër.Roli i Naimit identifikohet me gotën e qumështit, çka do të thotë se jeni një personazh i bardhë dhe pozitiv, por edhe pak naiv (në rol), karshi roleve të tjera plot dinakëri. A jeni i kënaqur me rolin dhe a iu merr shumë kohë transformimi nga seriali në serial?
Secili rol merr kohën e vet, ndonjë më shumë, ndonjë më pak, varet se sa përshtatem me atë që gjej në skenar. Nganjëherë më duhet më shumë kohë që të gjej atë që nevojitet, që e karakterizon një personazh. Nuk është lehtë të krijosh një personazh me tipare dhe ndjenja të vërteta.

Ju nuk mund të ankoheni shumë për hapësirën dhe angazhimin tuaj artistik, madje keni patur fatin të luani edhe në filmin “Kukumi”, i cili është stolisur me disa çmime ndërkombëtare. Pastaj, keni patur një pauzë në film, ndërsa keni luajtur edhe në filmin e radhës të babit tuaj, Isës, “Tri dritare dhe një varje”?
Ka qenë një eksperiencë e veçantë puna te “Kukumi”, sidomos ajo çka ky projekt ka sjellë pastaj, pjesëmarrja në festivale, çmimet, kanë qenë eksperiencë shumë e mirë për mua. Filmi “Tri dritare dhe një varje”, tashmë ka përfunduar xhirimet të cilat kanë zgjatur plot 34 ditë. Ky film, trajton temën e pasojave të dhunimeve gjatë luftës, ndërsa premiera pritet të jepet në fillim të vitit 2014. Shpresoj që do të dalë një film i mirë.A duhet të ketë aktori prirje, apo çdo gjë e arrin vetëm me punë dhe insistim?
Talenti është vetëm fillimi i këtij profesioni, është puna dhe eksperienca ajo që na shtyn përpara. Përkushtimi dhe përgjegjësia ndaj çdo roli, që të sjellim diçka unike, është ajo që na veçon secilin.

Keni dy vajza: kanë filluar vajzat të shfaqin ndonjë talent të theksuar, sepse sikurse dihet, vajzat që në start janë fëmijë të zgjuar.
Lea dhe Nisa, 6 dhe  3 vjeç, janë ende të vogla, por shpresoj se edhe ato sikurse unë të zgjedhin vet rrugën e tyre. Lea e don baletin, ndërsa Nisa e përcjell në çdo hap.

Dukeni një familje e planifikuar, moderne dhe e harmonishme. Nga vjen kjo harmoni, nga dashuria, mirëqenia, mirëkuptimi apo nga të tria?
Gjithsesi nga të tria. Profesioni im donë shumë punë dhe përkushtim, e sidomos mirëkuptim nga ana e gruas në këtë rast, kështu që, ajo më jep mbështetje gjatë gjithë kësaj kohe dhe këtë e vlerësoj shumë. Kjo na bën që të jemi një familje e lumtur.

Ju mbani edhe një lokal (“Morena”), i cili është shumë i frekuentuar, sidomos nga të rinjtë, mbase edhe për faktin se aty, juve, mund t’ju takojnë fansat e shumtë.
“Morena” tani ka bërë 17 vjet pune dhe është një lokal që frekuentohet mjaft. Aty pi kafen me miqtë dhe është një vend ku ndihem si në shtëpi.

A është më mirë të jesh aktor apo, pronar lokali?
Aktrimi është ajo që unë e bëj me qejf dhe ajo që më definon se kush jam.A keni kohë të lirë dhe çka e bëni më të kur e keni?
Kryesisht mundohem të jem me familjen, të shëtisim, por edhe të argëtohem në shtëpi me vajzat. Edhe me sport merrem nganjëherë kur kam kohë; e kam një biçikletë që e mundoj kohë pas kohe.

Hobi juaj, dobësia, idoli juaj?
Sporti (shumë nga sportet). Nuk kam idol, çmoj dhe respektoj shumë njerëz rreth meje, por edhe shumë të tjerë që me punën e tyre na mësojnë shumë gjëra. /Telegrafi/

 

Exit mobile version