Site icon Telegrafi

DOLLI E PËRMOTSHME

Poemë nga: Stephane Mallarme
Përktheu: Muhamed Kërveshi

Hija e kobshme e fatit, jet’ e syrgjinosur!
Ik nga marrëzia e shabakimi në të sosur.
Shpresës magjike në korridor më nuk i beson
Ta ofroj kupën time t’zbrazët ku drita gjëmon!
Pamja jote më duket e huaj kudo: e me rend
Shumë qirinj do të fiken shpejtas në tjetër vend.
Në çdo shpatë, që po hap varre të shpeshta, vonë
E njohim pak, e kemi zgjedhur për kremten tonë
Do ta këndojmë thjeshtas papraninë e poetit.
Brenda në përmendore është gjëmim i detit.
Kjo është lavdi e një përpjekjeje të lartë,
Që e prek hirin kur ky flet me gjuhë të zjarrtë,
Nga xhami shihen flaka e drita duke zbritur,
Nga zjarri e fryma e diellit n’heke të rritur!

E mrekullueshme, tërësisht e heshtur, e vetmuar,
Dridhet krenaria e rrejshme e njeriut, e rënduar,
Kjo turm’ e egër thotë: jemi hije e rënd’
E shajnive tona t’ardhmen që presin në çdo kënd.
Stema e zisë vezullon në mure, në botë
E urreja llahtarinë që ecte nëpër lot.

Kur i shurdhët në vargim tim hyn e paraqitet
Udhëtari, ah i verbër, memec lebetitet
Mysafir në qefin të madh të dritës së praruar
Shndërrohet në hero të pastër t’pritjes së vonuar
Humnera e madhe hapet me mjegull të dendur
Fryn gjatë era zemërake e fjalës së endur
Hiçi këtë Njeri nga e kaluara e mërgoi:
“Kujtime të horizontit n’Tokë kush ju dërgoi?”
Çirret kjo ëndërr, e kjo dritë zërin e ndërron,
Hapësira e ka shkop klithjen: “Nuk di se ç’mendon”!

Madhëria në sy të saj ka rrugë në çdo anë
Në të parajsa tokësore duket e paanë
Dridhja e mbramë, në zërin e tij shumë rritet
Nëpër Lule fshehtësia e një emri zvarritet
Nga fati nuk do të mbete më asgjë, vërtet jo?
Ju të gjallët, harroni besimin e kotë, po!

Gjeniu i ndritshëm e i amshueshëm nuk ka hije,
Lutjet tona më shqetësojnë, ndjej dhembje n’ije
Duhet ditur se kujt i bie të fikët në punë
Ideali i ushqen kopshtet e yllit, di unë,
Mbijeton për hir të këtij rrënimi të qetë
Veprimi madhështor në freskun e fjalëve fjet’
Të përpurta të dendura me kupë të plotë
Në diamant shikimi i tejdukshëm lëviz imzot
I vetmuar rri afër Zambakut e Trëndafilit
Që nuk vyshken kurrë, pranë erë e tërfilit,
I shtrirë në mesë t’kohës e rrezeve të dritës!

Poeti i njeh të gjitha vendkalimet e ditës,
Në zabele të panjohura rrugë të reja
Në ëndrra të tyre s’hyhet kur zgjohet rrufeja:
Mëngjesi kërkon pushim të merituar për heshtjen
Pra edhe vdekja e dikurshme për poetin – Gotjen
S’i kishte sytë e çelur në heshtje, në pritë,
Dilte prapë nga rruga e huajtur në mesditë,
Varri i madh ku u varros çdo gjë na shikon,
Qetësia koprrace, me pesh’ të natës, na mundon.

Exit mobile version