DokuFest ka njoftuar se do t’i bashkohet festimit të “Ditës Evropiane të Kinemasë Arthouse” më 17 nëntor 2024 në DokuKino.
“Duke iu bashkuar kësaj iniciative, DokuFest do të prezantojë një film me regji të regjisorit Johan Grimoprez që ka fituar shumë çmime, duke i ofruar audiencës në Prizren mundësinë për të festuar kinemanë evropiane. Programi përmban filmin “Soundtrack to a Coup D’etat””, thuhet në njoftimin e DokuFest, raporton Telegrafi.
Regjisori Johan Grimonprez në këtë dokumentar shqyrton makinacionet politike pas vrasjes së udhëheqësit kongolez Patrice Lumumba në vitin 1961.
“Dita Evropiane e Kinemasë Arthouse”, bazuar në njoftimin e DokuFestit, është një nismë e organizuar nga Konfederata Ndërkombëtare e Kinemave Arthouse (CICAE) së bashku me anëtarët e shoqatës së saj kombëtare, në partneritet me Europa Cinemas.
Edicioni i 9-të i këtij eventi synon të nxjerrë në pah identitetin unik të kinemave pjesëmarrëse dhe angazhimin e tyre për të promovuar kinemanë evropiane. Ky event synon të rrisë angazhimin e audiencës dhe qarkullimin e filmave evropianë, duke rritur rëndësinë dhe dukshmërinë e kinemave të artit në komunitetet lokale, raporton Telegrafi.
“Ftojmë të gjithë pasionantët e filmit dhe të kinemasë që t’i bashkohen Kinemasë Arthouse të DokuFest, në “DokuKino”, duke filluar nga ora 19:00, më 17 nëntor, për të festuar “Ditën Evropiane të Kinemasë Arthouse””, thuhet në njoftim, teksa sqarohet se hyrja është falas. /Telegrafi/