Sektori i shëndetësisë në Gjilan po përballet edhe me një sifdë tjetër, ku doktorët e rinj të pranuar para disa muajsh, nuk janë paguar qe dy muaj.
Doktorët e rinj ishin pranuar në kuadër të projektit në bashkëpunim me organizatën “Islamic Relief Kosova” dhe Komunës së Gjilanit, mirëpo kjo e fundit, sipas njoftimit, qe katër muaj e gjysmë nuk i ka transferuar paratë tek organizata, ashtu sic parashihet në marrëveshje.
“Organizata “Islamic Relief Kosova”, ka një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar me Komunën e Gjilanit për projektin e shëndetësisë në punësimin e doktorëve në qytetin e Gjilanit. Procesin e rekrutimit e udhëheq organizata “Islamic Relief Kosova”, ndërsa financimi bëhet bashkërisht me Komunën e Gjilanit. Doktorët e rinj të cilët janë pranuar para disa muajsh nuk janë duke u paguar nga Komuna e Gjilanit. Ata po hyjnë në muajin e tretë të punës dhe të paktën që dy muaj nuk janë paguar”, thuhet në njoftim.
Mesazhin që organizata u ka dërguar doktorëve, e ka publikuar Partia Demokratike e Kosovës-dega në Gjilan, derisa kanë thënë se kjo është përgjegjësi e kryetarit të komunës.
“Përgjegjësit e organizatës “Islamic Relief Kosova”, u kanë dërguar një email doktorëve të rinj duke ju treguar se Komuna e Gjilanit të paktën që katër muaj e gjysmë nuk i ka transferuar paratë tek kjo organizatë, ashtu siç parashihet me marrëveshje”, thuhet në njoftimin e tyre.
PDK thotë se financimin e doktorëve të rinj, kryetari Hyseni nuk po e trajton me urgjencë, derisa sipas tyre, prioritet për kryetarin është punësimi i kunatave dhe balldëskave të tij dhe zyrtarëve të tij.
“Për të nuk ka rëndësi që doktorët e rinj të cilët po e kryejnë punën me përkushtim dhe profesionalizëm kanë mbetur pa paga”, shkruan PDK.
Tutje, PDK i kërkon kryetarit që çështjen e financimit ta trajtojë me urgjencë. /Telegrafi/