Telegrafi

Dodiku ka përkrahjen e Rusisë dhe Serbisë, Parlamenti britanik kërkon ndërhyrje të menjëhershme

Parlamenti britanik sot ka mbajtur seancën për gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë, ku janë bërë akuza të mëdha në llogari të Millorad Dodikut, por edhe të Serbisë, Rusisë dhe vendeve që mbështesin aktivitetet e Dodikut.

Debatin në Parlament e filloi përfaqësuesi i Partisë Konservatore, Anthony Mangnall, i cili pyeti ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, nëse do të deklarohen lidhur me krizën në Bosnjë e Hercegovinë, transmeton Telegrafi.

Pas tij, fjalën e mori zyrtari i ministrisë së Punëve të Jashtme, James Cleverly.

“Ngjarjet e fundit janë brengosëse për Britaninë e Madhe. Millorad Dodik po kërcënon me daljen e Republika Srpskas nga institucionet shtetërore, dhe kjo është e rrezikshme dhe një tentim që të zhvendoset vëmendja nga korrupsioni. Mund t’ju bind që ne mbështesim integritetin territorial të BeH. Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt do ta vizitojë Britaninë e Madhe në dhjetor ku edhe njëherë do t’i ofrojmë mbështetjen e plotë për punën. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të ballafaqohemi me retorikën e ndarjes dhe veprimet e disa politikanëve në Bosnje, përfshirë kërcënimin që të formohet ushtria e Republika Srpskas dhe institucionet tjera. Britania e Madhe është e përkushtuar ta ndihmojë popullin në Bosnjë dhe të krijojmë një shtet me institucione të fuqishme”, porositi Cleverly.

E pas fjalimit të Cleverly, fjalën e mori sërish përfaqësuesi i Konservatorëve, i cili tha se secesionistët në Republikën Srpska kanë përkrahjen e Serbisë dhe Rusisë.

“Siç ka thënë Schmidt, Bosnja e Hercegovina po ballafaqohet me një krizë dhe konflikt të mundur. Secesionistët kanë përkrahjen e Rusisë. Është një gjë e rrezikshme për vendin ku ka ndodhur spastrimi etnik dhe gjenocid gjatë viteve të 90-ta. Duhet ta njohim të keqen. Është koha të veprojmë, e jo të presim. Nëse presim, sërish do të shohim vdekje në oborrin tonë”, tha Mangnall. /Telegrafi/