Presidenti i entitetit Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka mbajtur të dielën një konferencë për media ku ka folur edhe për vendimet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.
Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, prezantimi 45-minutësh u përcoll me pyetje nga gazetarët, ndërsa foli edhe gazetari i portalit të njohur Klix.ba.
Dhe, sipas tyre, prezantimi i tij u pasua me pyetje nga shtypi dhe Dodik tregoi për të disatën herë .
Dodik fillimisht i drejtoi disa fjalë gazetarit dhe fajësoi Klix-in për situatën në vend.
“Nëse ju dhe portali juaj nuk do të bënit budallallëqe të tilla, ndoshta ky vend do të ishte më i suksesshëm… Mos me ndërprisni dhe bëhu i kulturuar, mos mendo se ke ardhur ne Zanzibar por jeni në Republika Srpska…”, i ka thënë Dodik gazetarit, madje edhe duke iu drejtuar me gisht.
Ndryshe, Dodik kishte thënë se Asambleja Kombëtare e entitetit që ai kryeson nuk do t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.
Kjo deklaratë e Dodikut vjen një ditë pasi përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Schmidt, anuloi dy vendime anti-Dejton të asamblesë së entitetit të Republikës Srpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës. /Telegrafi/