Telegrafi

Dodik kërkon që Republika Srpska të fillojë procesin e shpërbërjes, pas vendimit që të ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Serbët nuk guxojnë ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë e ngulur në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnje e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Sërpskës javën e ardhshme”, tha Dodik.

“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Faza e dytë e agresionit rus në Ukrainë: Kontrolli i Donbasit, por edhe bashkimi me rajonin e Moldavisë

Reagimi i tij ka ardhur pasi përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

Përfaqësuesi i lartë deklaroi se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt, ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm. /rel/