Joga është një praktikë fizike e cila për qëllim ka bashkimin e trupit dhe të mendjes, dhe duke njohur thirrjen e saj universale, më 11 dhjetor 2014, Kombet e Bashkuara shpallën 21 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Jogës.
Në një intervistë dhënë për Telegrafin, instruktorja e jogas Besa Kastrati, e cila praktikon jogan në studion e saj “Yoga by Besa” në Gjakovë, tha që dobitë fizike të jogas janë të shumta.
“Dobitë nga praktikimi i jogas janë të shumta, dhe është e pamundur të numërohen të gjitha. Po disa nga ato janë: rrit imunitetin e trupit, balancon kolesterolin, përmirëson qarkullimin e gjakut, forcon zemrën, balancon funksionin e gjendrave, rrit dendësinë e eshtrave dhe ndikon në forcimin e tyre. Zgjat tërë muskujt e trupit, sepse lëvizjet janë të koordinuara në atë mënyrë që të përfshihet secila pjesë e trupit gjë që përmirëson qëndrimin e trupit.”, tha Kastrati.
Ndërsa përveç të mirave fizike, Kastrati tha që praktikimi i jogas sjell të mira edhe në shëndetin mendor, duke ndihmuar në largimin e stresit.
“Meqenëse praktika e jogas është aktivitet që e përfshinë komplet qenien tonë, sepse ne nuk jemi vetëm trup fizik, por kemi edhe aspektin mental dhe energjik.
Dobitë në shëndetin mental gjithashtu janë të shumta: largon stresin, i cili njihet si njëri ndër shkaktarët kryesor të shumë sëmundjeve, shëron depresionin, zbut ankthin, si dhe rrit përqendrimin.”, shtoi ajo.
Kastrati pëmendi edhe dobitë më të mëdha që sjell praktikimi i jogas.
“Dobia më e madhe është që praktikuesi i jogas arrin paqen e brendshme, sepse lirohemi nga traumat, nga ndjenjat negative që na akumulohen gjatë jetës.”
Kastrati tha që ndikimi i jogas ndjehet për një kohë të shkurtër.
“Ndikimin e praktikimit të jogas, praktikuesi e ndjen shumë shpejtë pas vetëm dy javëve, por joga duhet të praktikohet tërë jetën.”, potencoi Kastrati, shkruan Telegrafi.
Duke e ditur që joga ka praktika të shumta, Kastrati, përmendi praktikën më të njohur të jogës e cila është ‘hatha yoga’.
“Praktika më e njohur është hatha yoga, e cila përfshin lëvizjet – pozitat, teknikat e frymëmarrjes – që na ndihmojnë ta përgatisim trupin për meditim. Duhet të ceket se joga është aktivitet i përshtatshëm dhe i dobishëm për të gjitha moshat, varësisht sa i lejon gjendja shëndetësore.”, tha ndër të tjera Kastrati.
Joga konsoderohet më shumë së sa thjesht një aktivitet fizik, pasiqë thelbi i jogës është ekuilibri – jo vetëm ekuilibri brenda trupit ose ai midis mendjes dhe trupit, por edhe ekuilibri në marrëdhëniet njerëzore me botën./Telegrafi/,