Dukuritë shqetësuese dhe negative si bullizmi dhe dhuna në shkolla, janë disa faktorë që shumë shpesh janë dukuri të heshtura që ndodhin në shkollat e vendit tonë.
Komuna e Gjakovës, më saktësisht Drejoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor Lokal në Gjakovë, ka vendosur që me datë 20 nëntor së bashku me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” dhe Shkollës së Mesme të Mjeksisë “Hysni Zajmi”, të zhvillojnë diskutimin e dytë me këshillat e nxënësve të shkollave të mesme mbi temën “Bullizmi dhe Dhuna në Shkolla”.
Ky takim i cili pritet të jetë një diskutim mjaft i rëndësishëm si dhe i dobishëm për nxënësit e këtyre shkollave dhe jo vetëm, do të udhëhiqet nga psikoterapistja Ardita Lama, në mënyrë që ky diskutim të jetë sa më i dobishëm, dhe këshillat që do të dalin nga ky diskutim të jenë të nivelit profesional.
Ky diskutim do të mbahet në Sallën e Leximit në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” me fillim nga ora 12:00. /Telegrafi/