Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur që ka hapur thirrjen për nominimin e sportistit të vitit në Komunën e Gjakovës.
Përmes këtij njoftimi DKRS ka njoftuar të gjitha organizatat e regjistruara si OJQ, Klube apo Shoqata Sportive që t’i dorëzojnë propozimet e tyre për sportistët më të mirë të vitit, propozime këto që duhet të bëhen nëpërmjet Klubeve Sportive.
Propozimet bëhen për të zgjedhur Sportistin e Vitit, Trajnerin e Vitit, Klubin e Vitit, Shpresën e Vitit, si dhe Punëtorin Sportiv më të mirë të vitit në Komunën e Gjakovës.
DKRS po ashtu në njoftimin e bërë ka potencuar që në momentin e propozimit të laureatit duhet të përshkruhet aktiviteti i secilit sportist, si dhe duhet të specifikohet pjesëmarrja e atij sportisti në garat ekipore apo individuale, ku duhet të përfshihen edhe diplomat, medaljet, certifikatat, dhe arritjet e tjera të sportistëve, suksese këto të cilat sportistët i kanë arritur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë vitit 2024.
Propozimet për zgjedhjen e laureatëve mund të bëhen më së largu deri me datë 10 janar 2025, në ora 16:00, ku propozimet e bëra duhet të dorëzohen fizikisht në Sektorin e Sporit, në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë. /Telegrafi/