Mbrëmë në Mitrovicë është djegur një vepër arti që kërkonte mbrojtjen e lumenjve të qytetit.
Kjo vepër arti ishte e vendosur tek shëtitorja pranë lumit Ibër.
Lidhur me këtë, drejtori i organizatës kulturore “7Arte”, Lulzim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vepra që tashmë është djegur ishte një “thirrje që buronte nga dashuria” për natyrën dhe qytetin, shkruan Telegrafi.
Hoti është shprehur se ky akt e ka goditur thellë atë, jo vetëm si drejtues i organizatës kulturore, por edhe si qytetar i Mitrovicës.
“Kjo vepër ishte një thirrje e qartë për mbrojtjen e lumenjve të Mitrovicës – një thirrje që buronte nga dashuria për natyrën dhe qytetin tonë. Por ajo, për fat të keq, u dogj natën e kaluar, në një akt që më goditi thellë, jo vetëm si drejtues i një organizate kulturore, por edhe si qytetar i Mitrovicës”, ka thënë Hoti.
Ai është shprehur se së bashku me ekipin e tij do të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë çështje.
Më tej, Hoti ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë për një Mitrovicë ku arti respektohet.
“Por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të punojmë për një Mitrovicë ku arti respektohet, ku lumenjtë mbrohen dhe ku dialogu mbizotëron mbi dhunën”, ka thënë tutje drejtori i organizatës kulturore “7Arte”, Lulzim Hoti. /Telegrafi/