Gjatë ditës së djeshme në disa media lokale u raportua se kanë filluar punimet për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicën Veriore. Një gjë të tillë nuk e ka thënë drejtori i Bashkësisë Islame të Kosovës në Mitrovicë, Ekrem Avdiu.
Fillimisht, dje ishin bërë vetëm disa matje dhe nuk kishin filluar punimet për rindërtimin e xhamisë, shkruan Telegrafi.
Avdiu në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se dje janë bërë vetëm matjet e parcelës sepse sipas tij, kishin dëshirë të dinë nëse ka pësuar ndonjë ndryshim.
“E konfirmoj se dje janë bërë disa matje, por jo për rindërtimin e xhamisë. Janë bërë matjet e parcelës sepse kemi pasur dëshirë të dimë nëse ka pësuar ndonjë ndryshim me zgjerimin e urës”, ka thënë Avdiu.
Avdiu ka thënë se këtë çështje nuk e kanë me nxitim sepse sipas tij, para se të rindërtohet kjo xhami duhet të krijohen disa kushte të lëvizjes së lirë dhe të shihet se në atë zonë po qarkullohet lirshëm, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk e kemi me nxitim sepse para se të rindërtohet xhamia duhet të krijohen disa kushte të lëvizjes së lirë, të hapet Ura e Ibrit, të shihet se po qarkullohet lirshëm”, ka thënë tutje drejtori i BIK-ut në Mitrovicë.
Ai është shprehur se të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrin si Bashkësi Islame e Kosovës do të jenë në koordinim të plotë me organet e Qeverisë, të rendit dhe të sigurisë.
Kujtojmë që Xhamia e Ibrit ishte ndërtuar në vitin 1777, por ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe më 2 maj 1999. /Telegrafi/