Telegrafi

Djali i Vuçiqit merr pjesë në të ashtuquajturën ‘festë e Ditës së Republikës Srpska’ në Sarajevë

Djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Danilo, i cili nuk ka një pozicion zyrtar, ishte ndër “të ftuarit e nderit” në Sarajevë në të ashtuquajturën festë të Ditës së Republikës Srpska në Sarajevë.

Bëhet fjalë për një festë e cila është shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç shkruan Istraga.ba, Ambasada e Serbisë në Sarajevë ka njoftuar zyrtarisht se Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Dhe siç raporton ky medium, ai shoqërohej nga pesë pjesëtarë të armatosur të MPB-së së Serbisë.

Ndryshe, siç raporton N1 Sarajeva, Aleksandar Vuçiq ka qenë vetëm një herë për të festuar Ditën e Republikës Srpska, dhe atë në vitin 2016, kur u festua për herë të parë.

Dhe këtë vit atje nuk ka shkuar as kryeministrja Ana Brnabiq, e cila ka marrë pjesë në vitet e kaluara.

Sidoqoftë, atje ishin shefi i diplomacisë Ivica Daçiq dhe ministra të tjerë.

Ndërkohë lidhur me këtë festë, gjatë ditës së hënë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“… vendimi i (Milorad) Dodik për të festuar 9 janarin është i paligjshëm. Ai shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës sipas të cilit festimi është antikushtetues”, citohet të ketë thënë më tej ambasada amerikane.

Ata kanë përkujtuar se neni 3 i Marrëveshjes së Dejtonit është i qartë dhe se Republika Srpska duhet të respektojë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse i pëlqejnë apo jo. /Telegrafi/