Për nder të Ditës Botërore të Shkencave të Natyrës, shkolla fillore “Thimi Mitko” në Gjilan organizoi një garë për të promovuar rëndësinë e këtyre shkencave.
Kjo ditë u shënua me aktivitete të organizuara nga aktivi i shkencave natyrore, ku nxënësit patën mundësinë të prezantojnë dhe të eksperimentojnë, duke shfaqur aftësitë dhe kreativitetin e tyre.
Sipas njoftimit të shkollës, kjo ditë shërben si një moment reflektimi mbi rolin jetësor të shkencave natyrore. Në këtë frymë, u zhvilluan gara për prezantimin dhe eksperimentin më të mirë, ku disa nxënës triumfuan me punimet e tyre mbresëlënëse.
Në kujdesin e mësimdhënëses së fizikës, Lumnije Sherifi, çmimi për prezantimin më të suksesshëm i takoi Laidë Ismailit nga klasa IX/4. Ndërkohë, çmimin për eksperimentin më të mirë e ndanë Ledina Hajrizi (klasa IX/5) dhe Ketjona Uka (klasa IX/1), nën udhëzimin e mësimdhënëses së kimisë, Merlinda Daku.
Shkolla përgëzoi nxënësit për arritjet e tyre, duke i cilësuar si shkencëtarët e së ardhmes, pionierë që do të sjellin ndriçim dhe shpresë për një botë më të mirë.
“Udhëheqësia e shkollës përgëzon shkencëtarët e ardhshëm, të cilët me kuriozitetin dhe pasionin e tyre janë shpresa për një të ardhme më të ndritur,” thuhet në njoftim.
Gjithashtu, shkolla falënderoi të gjithë mësimdhënësit e fushës së shkencave natyrore për përkushtimin e tyre.
“Falënderojmë mësimdhënësit Jehona Sahiti, Indira Shahiqi, Zejdi Ukshini, Luljeta Dubova, Fatmire Parashtica dhe Ajnishahe Syla, të cilët me përkushtimin e tyre udhëheqin brezin që nesër do të sjellë ndryshime të mëdha në botë,” përfundon njoftimi. /Telegrafi/