Dhimbje stomaku, ndjesi fryrjeje, krupë, nxitje për të vjella, rritje të aciditetit, urth, ndjenjë e ushqimit që po rikthehet… Këto janë ankesat më të shpeshta të stomakut për të cilat pacientët drejtohen te mjeku i zgjedhur në qendrën shëndetësore, por një numër i madh i tyre do të udhëzohen edhe në klinikën e gastroenterologjisë
Dr. Driton M. Shabani,
gastroenterolog
tel. 044 440 890
Ndonjëherë është thjesht një dhimbje e padëmshme që na tregon se diçka që hëngrëm nuk na pëlqeu, por ndonjëherë është një paralajmërim i një problemi më serioz shëndetësor.
Një numër i madh i pacientëve nuk kanë terapi adekuate, por arsyeja është se dispepsia funksionale shfaqet në periudha të shkurtra të motit, ose herë pas here, dhe ilaçi kërkohet në barnatore.
Një vizitë te mjeku përfshin diagnostikimin që synon të përjashtojë sëmundjet organike të pjesës së sipërme të traktit tretës. Nëse nuk bëhet fjalë për gastrit (pezmatim i mukozës së stomakut), gurë në fshikëzën e tëmthit, inflamacion pankreatik ose mungesë e Helicobacter pylori në stomak, për të cilin është përshkruar terapi speciale, pacientët marrin diagnozën e dispepsisë funksionale.
Një ekzaminim nga një gastroenterolog përfshin kryesisht një bisedë me pacientin, marrjen e një historie personale dhe të nënës, dhe më pas një ekzaminim fizik të barkut, ndonjëherë rektal. Pas kësaj, pacienti udhëzohet për të bërë analizë gjaku dhe analiza biokimike. Ekzaminimi me ultratinguj i abdomenit, ekzaminimet endoskopike dhe gastroskopia përdoren gjithashtu në diagnostikim. Në diagnostikim përdoret edhe ekzaminimi me ultratinguj i abdomenit, ekzaminimet endoskopike, gastroskopia e ezofagut, stomakut dhe pjesës së zorrës së hollë, kolonoskopia e zorrës së trashë dhe rektosigmoidoskopia e pjesës fundore të zorrës.
Çka është dispepsia funksionale?
Paraqet një rregullim kronik i peristaltikës (lëvizjes) së traktit të sipërm digjestiv. Është një gjendje kur pacienti ka simptoma në epigastrium (lukth) rekurente, të vazhdueshme, rezistente në terapi, pa ndonjë shkaktar të dukshëm. Ndryshe dispepsia funksionale quhet edhe si dispepsi jo ulceroze, sindroma pseudoulceroze, irritimi pyloro-duodenal, dyspepsia nervoze, ose gastritisi.
Cilët janë shkaktarët e dyspepsisë funksionale?
Shkaku i dispepsisë funksionale është i panjohur; megjithatë, disa hipoteza mund ta shpjegojnë këtë gjendje edhe pse asnjëra nuk mund të lidhet vazhdimisht me të siç janë: sekretimi i tepërt i acidit, inflamacioni i stomakut ose duodenit, alergjitë ushqimore, ndikimet e stilit të jetesës dhe dietës, faktorët psikologjikë, efektet anësore të mjekimit (p.sh., nga barnat anti-inflamatore jo-steroide, si aspirina, ibuprofeni dhe naprokseni) dhe infeksioni me Helicobacter pylori.
Cilat janë simptomat e dyspepsisë funksionale?
Çrregullimet e motilitetit që janë prezente te dispepsia funksionale qojnë në hyperalgjesi viscerale (mbindjeshmëri e traktit të sipërm). Kjo është për shkak të zbrazjes joefektive dhe të pakordinuar të traktit të sipërm që shfaqet me simptoma të dhimbjes, ngopjes dhe fryrjes. Simptomat tjera përfshijnë dhimbjet në formë të djegies, shije e thartë në gojë, gromësira të shtuara, mundim, ndonjëherë edhe vjellje. Shumica e pacientëve përjetojnë më shumë se një simptomë të cilat vijnë e shkojnë. Ndonjëherë simptomat mund të shfaqen me ashpërsi të shtuar për disa javë ose muaj dhe më pas ulen ose largohen plotësisht për ca kohë.
Si mund ta dalloj nëse kam dispepsi funksionale kundrejt IBS-së?
IBS (sindroma e zorrës së irrituar) është një tjetër çrregullim funksional. Dispepsia funksionale është quajtur “sindroma e stomakut të irrituar” dhe IBS është quajtur “zorrë nervoze”. Sidoqoftë, IBS paraqet shqetësim të zorrëve, veçanërisht zorrës së trashë. Simptomat e dispepsisë funksionale janë më të përfshira në stomak dhe pjesën e sipërme të zorrëve të holla. Dhimbja te dispepsia funksionale është më shumë një ndjesi djegieje në traktin e sipërm gastrointestinal, ndërsa dhimbja IBS është më shumë si ngërçe në zorrët për shkak të kapsllëkut ose diarresë.
Cilët faktorë rreziku kontribuojnë në dispepsi funksionale?
Ju mund të keni më shumë gjasa të përjetoni dispepsi funksionale nëse:
▪ Keni histori ankthi ose depresioni.
▪ Keni histori abuzimi.
▪ Keni një histori të infeksionit H. pylori.
▪ Përdorni NSAIDs (brufen, diclofen, aspirin, ketoprofen, etj.)
▪ Pini duhan ose përdorni produkte të duhanit.
▪ I takoni gjinisë femërore.
Diagnostikimi
Dispepsia funksionale diagnostikohet atëherë kur përkundër ekzaminimeve fizikale, radiologjike, endoskopike, nuk gjinden shkaktarët struktural të sëmundjes dhe simptomat e poshtëcekura një ose më shumë, zgjasin së paku 3 muaj me episode të shfaqjes dhe tërheqjes:
▪ Ndjenja e fryrjes pas ushqimit, diskomfor (postprandial fullnes)
▪ Ngopje e hershme
▪ Dhimbje epigastrike e cila më shpesh është në formë të djegësimit
Nuk ka test definitive për diagnozë të dispepsisë funksionale. Ekzaminimet radiologjike, siç është radiografia me barium dhe ato endoskopike – gastroskopia, rezultojnë normal, por kjo nuk do të thotë që gjithçka është në rregull. Bile këto teste çojnë në zemërim dhe zhgënjim të pacientit i cili vazhdon të ketë simptoma.
Menaxhimi i dispepsisë funksionale
Dieta dhe ndryshimi i stilit të jetës
Nuk ka ende evidencë të sakta se cilat ushqime specifike lidhen drejtpërdrejtë me këtë gjendje. Por shumica e njerëzve raportojnë se simptomat shtohen kur konsumojnë qumësht, alkool, kafe, ushqime të skuqura, domate, mëlmesa. Dmth, këto ndryshojnë në baza individuale. Konsumimi i vakteve të vogla të shpeshta dhe shmangia e porcioneve të mëdha gjatë vaktit si dhe evitimi i shtrirjes për të paktën dy orë pas vaktit, normalizon lëvizshmërinë e traktit të sipërm digjestiv. Personat obezë duhet humbin peshë sepse kështu lehtësohet presioni në traktin tretës. Poashtu preferohet të ngritët koka e shtratit (gjysma e sipërme e trupit) deri në 25 cm për të parandaluar refluksin gastrik.
Trajtimi medikamentoz
Përfshin barnat e ndryshme që neutralizojnë aciditetin, siç janë antacidet e ndryshme të cilat mund të merren në barnatore edhe pa recetë si dhe barnat që bllokojnë prodhimin e aciditetit siç janë: antihistaminikët H2 bllokator (Famotidine, Ranitidine) dhe frenuesit e pompës protonike-PPI (Omeprazole, Pantoprazole, Lansoprazole, etj.) PPI janë treguar si terapi më efektive për lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetes. Përdorimi afatgjatë i tyre shoqërohet edhe me efekte anësore siç janë oesteoporza – shtim i rrezikut për frakturë të eshtrave të kofshës, kyçit të dorës ose shtyllës kurrizore, anemi, etj.
Poashtu në trajtim të dispepsisë funksionale mund të përdoren edhe medikamentet që pengojnë refluksin dhe rrisin presionin e sfinkterit të poshtëm të ezofagut (LES), siç janë Metoclopramide dhe Domperidone maleate. /Telegrafi/