Kamenica dhe zona që e rrethon ka potenciale të konsiderueshme për të qenë një destinacion turistik, derisa është e pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrë të bukur.
Është mali Kika, një ndër majat më të larta të maleve, pastaj peizazhe të natyrës si Gryka e Gjyrishecit dhe monumenti karakteristik natyror, Gur i Madh. Këto janë disa nga bukuritë malore që e bëjnë të veçantë qytetin e Kamenicës.
Si rrjedhojë, Kamenica ka kapacitete edhe për alpinizëm, për të zhvilluar aktivitete të shumta në këto vise malore.
Po ashtu është i pasur edhe burime të shumta hidrografike, ku njëra ndër to është edhe Ujëvara” Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht të Kamenicës.
Ndërsa, një destinacion tjetër që duhet vizituar është edhe Kulla e Kadri Zekes.
Kjo është një ndër kullat më të vizituara, e cila ka një arkitekturë të pasur si nga jashtë ashtu edhe brenda saj. Kjo kullë gjendet në fshatin Poliqkë, apo siç e quajnë edhe ndryshe, Fushëmali, vendbanim i cili shtrihet rreth 30 km në verilindje të Kamenicës. Në këtë fshat u vendosën shumë familje të cilat u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit pas viti 1877/78.
Kjo kullë ishte e veprimtarit dhe publicistit Kadri Zeka, i cili kishte rënë dëshmor në luftën për të mbrojtur atdheun. Ky vend ka një arkitekturë tradicionale të shtëpive të shek XX.
Kulla “Kadri Zeka” është bërë muze për vizitorët në vitin 2010. Kjo kullë është meremetuar pasi që kishte pasur disa dëmtime brenda. Në këtë shtëpi – kullë, ka edhe DVD, përmes të cilave vizitorët mund të dëgjojnë Kadri Zekën se si fliste, përkatësisht oratorinë e tij. /Telegrafi/